Bota
Trump synon të rrëzojë regjimin komunist të Kubës deri në fund të vitit
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po punon aktivisht për ndryshim regjimi në Kubë dhe shpreson të arrijë një marrëveshje që do t’i jepte fund sundimit komunist në ishull deri në fund të vitit, sipas një raportimi të fundit të Wall Street Journal.
WS.J raporton se Shtëpia e Bardhë po kërkon figura brenda strukturave të qeverisë kubane që mund të ndihmojnë në largimin e udhëheqjes aktuale komuniste nga pushteti.
Edhe pse ende nuk ekziston një plan konkret për tranzicionin politik, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se kontrolli i qeverisë mbi vendin nuk ka qenë kurrë më i brishtë.
Kuba ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, me mungesa të vazhdueshme të mallrave bazë, ilaçeve dhe energjisë, si dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.
Pas rrëzimit të Nicolas Maduro-s në Venezuelë, ishulli ka humbur burimin kryesor të naftës, duke rrezikuar të mbetet pa karburant brenda javësh.
Administrata Trump synon të ndalojë çdo furnizim të mëtejshëm me naftë nga Venezuela drejt Kubës, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të regjimit.
Zyrtarët amerikanë e shohin modelin e ndërhyrjes në Venezuelë, ku u siguruan koncesione nga qeveria pas arrestimit të Maduro-s me ndihmën e një figure nga rrethi i tij i ngushtë, si një shembull që mund të përsëritet edhe në Kubë.
Në këtë kuadër, administrata amerikane ka zhvilluar takime me emigrantë kubanë dhe grupe qytetare në Miami dhe Washington, për të identifikuar individë potencialë që mund të shërbejnë si ndërmjetës për një tranzicion politik.
Paralelisht, po shqyrtohet edhe mundësia e një “rruge daljeje” për udhëheqësit aktualë të Kubës, përfshirë Raul Castro dhe presidentin Miguel Díaz-Canel.