Connect with us

Politike

Trump dhe Rubio “sqarojnë” mungesat në Bordin e Paqes, Shqipëria në proces

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë dhënë shpjegime të përgjithshme mbi mungesën e disa vendeve në ceremoninë e firmosjes së Kartës së Bordit të Paqes, duke theksuar se procedurat e brendshme kushtetuese dhe parlamentare kanë penguar aderimin e menjëhershëm të disa shteteve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Kartës, Sekretari i Shtetit Marco Rubio u shpreh se jo të gjitha vendet kanë mundësi të bashkohen menjëherë, pasi disa prej tyre duhet të përmbyllin më parë procedura të brendshme ligjore.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë ekipit që ka punuar fort për këtë nismë, dua të falënderoj çdo lider që është këtu sot dhe të gjitha vendet që janë angazhuar për t’u bashkuar. Disa të tjerë nuk janë sot këtu ose duhet të ndjekin procedura të brendshme në vendet e tyre për shkak të kufizimeve kushtetuese, por edhe ata do të bashkohen”, deklaroi Rubio.
Në të njëjtën linjë, Presidenti Donald Trump pranoi se disa shtete nuk mund të bëhen pjesë e Bordit të Paqes pa marrë më parë miratimin e parlamenteve përkatëse.
“Disa vende kanë nevojë për miratim parlamentar”, u shpreh Trump, duke shtuar se shumë shtete të tjera kanë shprehur interes për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, përfshirë edhe vende që nuk ishin të ftuara në ceremoninë fillestare.
Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten me 110 vota pro projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit në Bordin e Paqes, pas ndjekjes së procedurës parlamentare të përshpejtuar.

Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me synim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Advertisement