Bota
LUFTA, IRANI FORCON ARSENALIN E ARMEVE
Ushtria iraniane ka marrë një dërgesë të re prej 1 mijë dronësh luftarakë, të shpërndarë në degë të ndryshme të forcave të armatosura, raportoi agjencia shtetërore Tasnim.
Sipas autoriteteve ushtarake, mjetet ajrore pa pilot janë projektuar për misione sulmuese, zbulimi dhe luftë elektronike, duke synuar objektiva tokësore, ajrore dhe detare.
Komandanti i ushtrisë iraniane, gjeneralmajor Amir Hatami, deklaroi se forcimi i kapaciteteve strategjike synon një “përgjigje të shpejtë dhe shkatërruese ndaj çdo agresioni”, në përputhje me kërcënimet e reja të sigurisë.
Paralelisht, Irani ka marrë edhe helikopterin e parë sulmues rus Mi-28NE “Night Hunter”, pjesë e një marrëveshjeje prokurimi të vitit 2023 me Moskën, sipas Army Recognition Group.
Helikopteri është fotografuar gjatë inspektimeve në Teheran, duke sinjalizuar hyrjen e tij të afërt në shërbim operacional.
Mi-28NE është i pajisur me top 30 mm, raketa ajër-tokë dhe sisteme të avancuara për operime ditë e natë, duke rritur ndjeshëm aftësitë sulmuese dhe mbrojtëse të Iranit, veçanërisht në skenarë të mundshëm përplasjeje me SHBA-të.
Këto zhvillime vijnë në një moment tensioni të shtuar, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar sulme ndaj objektivave iraniane dhe ka njoftuar dërgimin e një “armade” anijesh luftarake në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët iranianë kanë reaguar duke paralajmëruar kundërpërgjigje të menjëhershme ndaj çdo sulmi.