Connect with us

Politike

Brenda Parlamentit Evropian, për herë të parë afate konkrete për mbylljen e negociatave të Shqipërisë

Zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim kyç për sigurinë dhe stabilitetin e Unionit, thuhet në një raport të miratuar të mërkurën nga Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET).
Raporti u miratua me 44 vota pro, 11 kundër dhe 8 abstenime, dhe thekson se kostoja e moszgjerimit do të ishte më e lartë se ajo e anëtarësimit, duke rritur rrezikun e krijimit të zonave gri gjeopolitike, të cenueshme ndaj ndikimeve destabilizuese dhe ndërhyrjeve të aktorëve të jashtëm.
Për herë të parë, siç ka mësuar Albanian Post, një organ kaq i rëndësishëm i Bashkimit Evropian mbështet me afate konkrete ambicien për mbylljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.
Në raport vlerësohet progresi domethënës i Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke marrë në konsideratë objektivin e Podgoricës dhe Tiranës zyrtare.
“Raporti përgëzon Malin e Zi dhe Shqipërinë për progresin e tyre të rëndësishëm, duke vënë në dukje ambiciet e tyre për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe në fund të vitit 2027 përkatësisht”.
Edhe pse raporti nuk analizon situatën e vendeve kandidate në mënyrë individuale dhe nuk fokusohet ekskluzivisht te krimi i organizuar, ai riafirmon se vendet kandidate pritet të luftojnë korrupsionin dhe çdo formë tjetër të kriminalitetit, ndërsa Bashkimi Evropian shprehet i gatshëm të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë
Eurodeputetët vlerësojnë se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces teknik, por një instrument politik për forcimin e ndikimit global të Unionit dhe parandalimin e pasigurisë në fqinjësinë evropiane.
Raporti mirëpret progresin e shënuar nga disa vende kandidate, por nënvizon se ky progres duhet të shoqërohet me reforma konkrete dhe rezultate të matshme.
Njëkohësisht, Këshilli i BE-së ftohet të heqë pengesat politike nga ana e Unionit dhe të tregojë të njëjtin nivel angazhimi.
AFET riafirmon se zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, individual dhe i kthyeshëm, duke përjashtuar çdo qasje të tipit “paketë”.

Raporti thekson se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në respektimin e vlerave themelore të BE-së, përfshirë sundimin e ligjit, reformat demokratike, lirinë e medias, të drejtat e pakicave, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
Eurodeputetët vënë theks të veçantë te roli i shoqërisë civile si faktor kyç në avancimin e reformave dhe ruajtjen e standardeve evropiane.
Orientimi gjeostrategjik
Sipas raportit, përputhja me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP) mbetet një tregues i rëndësishëm i orientimit gjeostrategjik të vendeve kandidate.
AFET vëren se prapambetja më shqetësuese demokratike ndodh në vendet me nivelin më të ulët të përputhjes me CFSP-në, si dhe në ato ku procesi i anëtarësimit ka hyrë në ngërç.
Raportuesi i dokumentit, eurodeputeti Petras Auštrevičius (Renew Europe, Lituani), e cilësoi zgjerimin si një prioritet gjeopolitik për Bashkimin Evropian.
“Një Evropë më e bashkuar forcon ndikimin global të Unionit. Për ta arritur këtë, BE-ja duhet të thjeshtojë procesin e anëtarësimit duke adresuar bllokimet politike, veçanërisht në hapat ndërmjetës si hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe klasterëve të negociatave”, u shpreh ai, duke sugjeruar përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar.
Auštrevičius theksoi se anëtarësimi mund të arrihet vetëm përmes një procesi rreptësisht të bazuar në meritë dhe zbatimit të qëndrueshëm të reformave.

Advertisement