Connect with us

Shkrime

SIMPTOME E SINDROMES SE POLITIKES SHQIPTARE

Politika shqiptare ka dhënë ndër vite prova të shumta të sjelljeve paradoksale, por ajo që po ndodh tani meriton një kapitull më vete. Gazetarja Jonida Shehu, e njohur për rolin e saj si analiste dhe për qëndrimet e saj haptazi anti-Rama, është emëruar zëdhënëse e grupit parlamentar… socialist.

Po, socialist.

Një figurë që ka akuzuar publikisht Edi Ramën për përqendrim pushtetesh, për shtypje të lirisë së informimit, për manipulim dhe vjedhje zgjedhjesh dhe ne fund si të paaftë për të ndërtuar pas 3 mandate e gjysmë ”një shtet ligjor”, sot do të ketë detyrën institucionale të mbrojë pikërisht atë shumicë që ka sulmuar. Një transformim politik dhe profesional që nuk shpjegohet as me evoluim ideologjik, as me reflektim kritik, por vetëm me një akt emërimi të pashpjeguar.

Nuk dihet kush e ka propozuar këtë zgjedhje, por këtu lind pyetja thelbësore: çfarë vlere ka fjala publike, analiza politike dhe koherenca profesionale?

Ndryshimi i mendimit është e drejtë legjitime e kujtdo. Por ndryshimi i narrativës pa asnjë shpjegim, pa asnjë autokritikë dhe pa asnjë transparencë është diçka tjetër.  Por absurditeti nuk mbaron këtu.

Në psikiatri ekziston një çrregullim i njohur si ”Sindroma e Stokholmit”, që të shtyn të dashurosh armiqtë e tu. Tani politika shqiptare ka nevojë të regjistrojë një patologji të re: ”Sindromën e Tiranës”, e cila të shtyn jo vetëm të falësh armiqtë, por edhe të urresh dhe poshtërosh miqtë e tu.

Jonida Shehu, editorialist tek ‘Piranjat’ në Syri Tv
Advertisement