Connect with us

Politike

Shkullaku: Rama nuk e lëshon imunitetin e Ballukut, hetimi i saj çon direkt te ‘Palloshi’

Analisti dhe gazetari Armand Shkullaku,  ka komentuar përplasjen e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe Bashkimit Europian lidhur me çështjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sipas Shkullakut, kjo nuk është një betejë për individin, por një lëvizje dëshpëruese e Ramës për të mbrojtur veten. Sipas tij, Rama nuk e lëshon imunitetin e Ballukut sepse hetimi i saj shkon direkt tek ‘Palloshi’.

Shkullaku argumentoi se Rama ka dëshmuar më parë se nuk e ka problem të lëshojë bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duke përmendur emra si Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj dhe Vangjush Dako.

Sipas gazetarit, për herë të parë pas 13 vitesh, Bashkimi Europian ka lëshuar një paralajmërim të llojit ultimatum: nëse nuk votohet heqja e imunitetit, vihet në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë.

‘Pse po ndodh kjo përplasje mes Bashkimit Europian dhe Edi Ramës? Kjo po ndodh pikërisht se Rama nuk do japë imunitetin e Belindës, por po bën gjithçka për të mos e dhënë. Sigurisht, ti the që duhet guxim, por guximi i frikacakut nganjëherë është më i madh se trimëria e çdo trimi.

Pse? Sepse Rama nuk po e bën këtë betejë për individin Belinda Balluku. Rama nuk e ka problem të japë dhe robt e shtëpisë, jo një ministër. Me Ahmetajn ka pasur shumë më tepër miqësi sesa me Ballukun. Me Ilir Beqajn, shumë e shumë më tepër. Me Vangjush Dakon e ka patur mik të afërt, për mos përmend emra të tjerë plot që të cilët nga halli i ka lëshuar, madje ka bërë dhe një sjellje të keqe.

Rasti i Belinda Ballukut është ajo që thamë, sepse dakord që për herë të parë, e thashë, mbas 13 vjet, kanë kaluar 13 vjet që Bashkimi Europian për herë të parë bën një deklaratë që paralajmëron mazhorancën. Pra i jep një, mund të themi, një lloj ultimatumi, që nëse nuk votohet imuniteti, nëse, vihet në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Është i njëjti Bashkim Europian që ka mbyllur sytë para vjedhjes së zgjedhjeve. Është i njëjti që ka mbyllur sytë para persekutimit të mediave dhe gazetarëve. Është i njëjti bashkim europian që ka ndodhur vjedhje në mes të ditës, ka pasur ligj special për të prishur teatrin, ligj special për Alabarin, janë vjedhur fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, për dixhitalizimin e të tjera e të tjera.

Pra, pavarësisht përgjegjësisë që vendet anëtare kanë ndaj taksapaguesve të tyre, përsëri për Edi Ramën i ka mbyllur sytë. Dhe ata e kanë parë, ambasadorët e tyre janë këtu, se si është akumuluar një pushtet i jashtëzakonshëm në dorën e një njeriu. Për herë të parë, kur ky pushtet po ju kthehet kundër se çfarë na kanë thënë ata deri tani? Na kanë thënë që ju duhet të trokisni qorrazi çdo veprim të drejtësisë së re. Sepse është një drejtësi që jua garantojmë ne, që është drejtësia më e mirë që do keni, është një histori suksesi.

Dhe shumica kanë duartrokitur qorrazi. Dhe kur hiqeshin imunitete, dhe kur burgoseshin njerëzit, dhe kur merreshin zvarrë, kanë thënë që ky është standardi i BE-së. Tani që për herë të parë, Rama ndodhet përballë një fakti, që nuk po akuzohet anëtarët e çetës së Rilindjes që kanë vjedhur për shtëpinë e tyre.

Kemi rastin e numrit dy të qeverisë që ka vjedhur, ka shkelur barazinë në tendera për interes të kapos. Rama ka bërë dy deklarata për të cilat çdo prokurori do ta merrte minimumi në pyetje. Ka thënë që po, flas dhe rekomandoj biznesmen tek ministrat e mi. Po, kam takuar kompaninë turke dhe i kam thënë hajde investo në Shqipëri. Domethënë shqiptarët janë budallenj, e ka takuar ky dhe i tha hajde investoni në Shqipëri dhe ata erdhën me vrap. Pra, Rama ka konflikt të pastër interesi të paktën te çështja e Ballukut.

Me siguri që ka dhe do të dalin dhe te çështja e AKSHI-t, që është edhe më e rëndë se kjo e Ballukut. Po rrimë te Balluku ku kërkohet imuniteti. Rama është i dënuar që të hyjë në një konflikt mes sponsorëve të reformës në drejtësi, drejtësisë së re, nëse mund ta quajmë kështu. Është i dënuar sepse do apo nuk do, Rama do jetë, do jetë tjetri.

Nëse Belinda Ballukut, i Ballukut i hiqet imuniteti, çdo përgjim që do i bëhet asaj, çdo kontroll, çdo marrje telefoni, çdo kompjuter, çdo gjë dhe ato që janë tani dhe janë në diskrecionin e prokurorisë për shkak se ajo ka imunitet, të gjitha këto do të dalin dhe të jeni të sigurt që ajo me një njeri fliste. A është ky Palloshi apo është Kodoshi nuk e di, po prokuroria është e qartë se për kë bëhet fjalë.

Ky është halli që ka Edi Rama dhe pikërisht se për herë të parë i janë afruar zyrës vetë, ai është i gatshëm të hyjë në konflikt. E mbani mend çfarë tha? Do ndryshojë legjislacionin. T’ia mbledhim një çikë këtyre të SPAK-ut. Pra deri dje ishin në rregull ata. Tani ja mbledhim prapë. Tjetër, që është një idiotësi. Përderisa këta kanë kërkuar pezullim dhe pezullimi është fuqi, ç’punë kanë këta me imunitetin se duan ta ndalojnë.

Po zotëri, po nuk ka vënë njeri ta interpretosh kushtetutën sipas mendjes tënde apo fakteve. Ty të ka ardhur një kërkesë. Parlamenti është sovran, nuk është parlamenti i Surrelit, është parlamenti i Shqipërisë. Parlamenti gjykon, votohet, po, jo, i jepet, s’i jepet imuniteti.’, u shpreh ndër të tjera, gazetari Armand Shkullaku në SYRI TV.

Advertisement