Connect with us

Politike

Lorenc Vangjeli: Ja kush e drejtonte realisht qeverinë, roli i Belinda Ballukut dhe ‘gabimi’ i Ramës

Situata politike në vend është tensionuar ndjeshëm pas kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke vënë në qendër të debatit publik rolin e Kryeministrit Edi Rama dhe dinamikat e brendshme të pushtetit.

Ndërsa Komisioni i Mandateve pritet të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, analiza të ndryshme nxjerrin në pah një ndryshim kursi të kryeministrit dhe hedhin dritë mbi një ndarje të padeklaruar të përgjegjësive në krye të ekzekutivit.

Sipas një këndvështrimi, Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë morale dhe institucionale, një kaos ku elita politike po lufton për kohë përballë zhvillimeve të pashmangshme.

Në këtë kontekst, argumentohet se Kryeministri Rama ka qenë i shkëputur nga menaxhimi i përditshmërisë qeverisëse. Kjo detyrë, sipas kësaj analize, i ishte deleguar plotësisht zëvendëskryeministres Balluku, e cila merrej me çështjet konkrete dhe menaxhimin e përditshëm të administratës.

Vetë kryeministri, në këtë skemë, i kishte rezervuar vetes trajtimin e “çështjeve të mëdha”, duke krijuar një distancë nga problematikat e ditës. Ky model qeverisjeje konsiderohet si një gabim strategjik, pasojat e të cilit po shfaqen pikërisht tani.

Nga ana tjetër, ky argument kundërshtohet me forcë, duke u pohuar se Kryeministri Rama nuk ka qenë aspak i distancuar, por thellësisht i përfshirë në vendimmarrje kyçe që lidhen me dosjet në hetim.

Si provë përmendet çështja e tunelit të Llogarasë, një nga dosjet për të cilën SPAK kërkon pezullimin e Ballukut. Pretendohet se në këtë rast, Rama ka vepruar si ndërmjetës dhe ka qenë i pranishëm së bashku me Ballukun në takime të rëndësishme, si ai i Stambollit.

Kjo e pozicionon atë jo si një vëzhgues të largët, por si një aktor qendror dhe “urdhërues” në proces.

E gjithë kjo situatë zhvillohet nën një vëzhgim të shtuar ndërkombëtar. Një sinjal i qartë i këtij shqetësimi ishte një “auto-intervistë” e pilotuar nga Bashkimi Evropian dhe e transmetuar në disa media shqiptare, e cila interpretohet si një mesazh i drejtpërdrejtë për krizën aktuale.

Debati mbetet i hapur nëse ndryshimi i kursit dhe ligjërimit të Kryeministrit Rama është një përpjekje për të mbrojtur veten duke sakrifikuar një bashkëpunëtore të afërt, apo një manovër e imponuar nga një krizë ku ai vetë është thellësisht i implikuar.

Në studion e emisionit “Çim Peka Live” në Syri Tv, analisti Lorenc Vangjeli theksoi: “Ishte e çuditshme sot që në mënyrë të pilotuar në një sërë mediash të rëndësishme të vendit u transmetua një auto-intervistë nga Bashkimi Evropian pikërisht për këtë çështje. Nuk ka pasur gazetarë shqiptarë të cilët kanë drejtuar pyetje atje, po ishin pyetjet dhe përgjigjet të ardhura gati-gati në mënyrë simultane në këto media.

E rrëfej këtë që më shumë sesa thelbi i asaj çka thoshte kjo intervistë, ishte pilotimi i një shqetësimi të BE-së për situatën në Shqipëri.

Kishte disa pika kryesore, njëra prej të cilave duke e konsideruar të anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të fundjavës, u mor me të nesërmen, çfarë do të ndodhë nesër. Pra, ke mbledhja e famshme e Komisionit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut ndaj zëvendëskryeministres Balluku.

Të gjitha këto të marra së bashku, duke i hyrë këtu edhe historisë, kam përshtypjen se bashkohen në tre pika.

E para, Shqipëria është sot, është në krizë, krizë morale dhe institucionale, është në kaos, madje një kaos i shkaktuar nga një pikë uji e vetme ku janë zhytur të gjithë dhe janë të gatshëm të mbyten, dhe mbi të gjitha në luftë për kohën. Të gjithë duket sikur tentojnë që atë çka është e pashmangshme ta shtyjnë sa më tepër në kohë.

Ajo që bie në sy këtu është ndryshimi i kursit të Edi Ramës dhe i ligjërimit të tij dhe asaj çka ai tenton të kumtojë. Duke shfrytëzuar dobësitë e natyrshme të sistemit të drejtësisë, sidomos atij të zakonshëm, atij që ka të bëjë me qytetarët e zakonshëm. Një mal problematikash që me kalimin e viteve janë shtuar dhe madje edhe thelluar, Rama e piketon këtë të drejtë të tij tek një çështje konkrete, që është ajo e zonjës Balluku”.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Çim Peka, se Rama këtë ndryshim kursi, po e bën për Belindën apo e ka hallin e vet, Vangjeli iu përgjigj: “Çështja ndaj zonjës Balluku është shumë e rëndësishme dhe në të gjitha rrethanat, Rama është i prekur prej saj. Madje është e prekur e gjithë qeverisja e tij. Sepse përtej të gjitha gjërave, është, është nga ato të vërteta të cilat nuk thuhen, por që i dinë të gjithë, ishte që Rama është zgjedhur nga shqiptarët për të qeverisur, ndërkohë që ai ia ka transferuar, ia ka deleguar, ose më saktë, ia kishte deleguar një gjë të tillë zonjës Balluku. Me përditshmërinë e qeverisjes merrej zonja Balluku. Rama nuk ishte i pranishëm.

Rama ka qenë i shkëputur nga përditshmëria dhe e kishte lënë Ballukun. Dhe unë këtë e konsideroj gabimin më të rëndë. Për mua ky është mëkati…”.

Advertisement