Kronike
18-vjeçarja shkon në spital e plagosur me armë/ Dy të arrestuar dhe 3 në kërkim
Një 18-vjeçare është gjetur e plagosur me armë zjarri te rrethrrotullimi i Fakultetit të Ekonomikut. Sipas bluve të Tiranës, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në gjoks. E reja me iniciale N. K., pasi është vetëqëlluar, është dërguar në spital rreth orës 00:15 nga Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.
Pas hetimeve 48-vjeçarja së bashku me Vladimir Gjutën kanë rënë në prangat e policisë, teksa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndaj të pestëve rëndojnë veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë një prej personave të shpallur në kërkim, E. Gj., 22 vjeç i cili rezulton edhe si i dashuri i të së resë rëndon edhe vepra penale “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i policisë:
Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.
E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Nuk kallëzoi plagosjen e 18-vjeçares/ Vladimir Gjuta i arrestuar më parë për konfliktin me Saimir Tahirin! Shkoi me armë te selia e PS ku ishte Rama
Vladimir Gjuta i arrestuar për vetëplagosjen e 18-vjeçares në kryeqyet nuk është një emër i panjohur për uniformat blu. Më 20 shkurt të 2020-ës ai ra në prangat e policisë pasi u kap me armë me vete pranë selisë së Partisë Socialiste. Pas arrestimit, Gjuta u akuzua për “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Po ashtu para disa vitesh ai është përfshirë në një konflikt me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe është ndër autorët e vendosje së sasisë së tritolit ndaj farmacisë së babait të ish-ministrit.
