Aktualitet
Procesi i sterilizimit/ Kita Sallabanda: Ata që vjedhin të dënohen, por PPP është e ardhmja e mjekësisë
Neurokirurgu i njohur Kita Sallabanda, sqaroi se procesi i sterilizimit në mjekësi është i domosdoshëm.
Sipas tij, në të gjithë botën procesi i sterilizimit bëhet nëpërmjet partneritetit publik-privat, por nuk duhen lejuar vjedhjet.
“Pashë që abuzohet shumë me konceptin pse u bë sterilizimi. Mendoj se procesi i sterilizimit është i njohur në gjithë botën dhe i jepet ndërmarrjeve private. Ka qenë shumë korrekte që të bëhet. Kjo nuk do të thotë që mbroj abuzimet, por mbroj bashkëpunimin publik-privat dhe sterilizimi është eksperiencë europiane.
Në atë kohë infeksionet nëpër salla operative ishin të mëdha, se nuk ishin sterilizuar ashtu siç duhet. Materiali ishte i vjetëruar dhe në atë kohë, për mendimin tim, procesi i kalimit në ndërmarrje private ishte i duhur për ta koncesionuar.
Spitali më i mirë i Spanjës është publik me administrim privat. Nuk duhen lejuar abuzimet dhe të grumbullohen të gjitha shërbimet në një spital, por bashkëpunimi publik-privat është e ardhmja e shëndetësisë. Ata që vjedhin të dënohen, por procesi është i saktë” – u shpreh neurokirurgu.