Connect with us

Bota

Nis përçarja/ Presidenti iranian përplaset me Gardën Revolucionare: Duhet të vrasim akoma protestues?

Sipas një burimi të informuar, udhëheqja iraniane, veçanërisht Garda Revolucionare Islamike (IRGC), nuk ka një strategji të qartë për atë që do të ndodhë pas përfundimit të luftës mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Përkundrazi, duket se prioriteti i kësaj force është vazhdimi i konfliktit.
Një burim pranë administratës së presidentit Masoud Pezeshkian i tha IranWire se gjatë një takimi joformal mes zyrtarëve të qeverisë dhe përfaqësuesve të IRGC-së, Pezeshkian ngriti shqetësime për gjendjen ekonomike të vendit pas përfundimit të luftës.
Ai paralajmëroi se, sapo të rikthehet një qetësi relative, qeveria do të përballet sërish me presione të forta ekonomike dhe me rritjen e pakënaqësisë publike. Pezeshkian i kërkoi IRGC-së që të nisë që tani bashkëpunimin me qeverinë për të menaxhuar problemet ekonomike që pritet të shfaqen pas luftës.
Gjatë diskutimit, një përfaqësues i IRGC-së, i përshkruar si një i ri, u përgjigj duke thënë se sulmet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë bashkuar njerëzit rreth regjimit, ashtu siç ndodhi gjatë “Luftës së Imponuar” (lufta Iran-Irak). Ai argumentoi se, për shkak se kërcënimet nga SHBA dhe Izraeli do të vazhdojnë edhe pas luftës, vendi do të mbetet në një gjendje emergjence dhe “askush nuk do të guxojë të shprehë pakënaqësi”.

Sipas burimit të IranWire, Pezeshkian e hodhi poshtë këtë përgjigje.
Ai i tha përfaqësuesit të IRGC-së: “Kjo nuk është përgjigje! A do të thotë kjo që, sapo të përfundojë lufta, ne duhet të vrasim një valë tjetër protestuesish? Këtë e quani planifikim?” Ai vijoi: “Ti je në moshën e djalit tim dhe nuk i mban mend vitet e luftës. Në atë kohë kishim Imamin (Khomeinin) dhe njerëzit i dëgjonin urdhrat e tij me gjithë zemër e shpirt; për më tepër, gjendja ekonomike edhe në kulmin e luftës nuk ishte aq e rëndë sa vitin e kaluar. Situata tani është ndryshe dhe përgjigjja jote nuk është bindëse”..
Burimi shtoi se Pezeshkian ka shprehur në mënyrë të përsëritur kritika në takime të ndryshme për përzgjedhjen e Mojtaba Khameneit si udhëheqës.
Sipas tij, vendi aktualisht ka nevojë ose për një udhëheqës karizmatik, ose për një këshill drejtues që të mund të rrisë moralin e publikut, qeverisë dhe ushtrisë. Ai gjithashtu argumentoi se “udhëheqja në mungesë” nuk mund të drejtojë në mënyrë efektive një vend me 90 milionë banorë.
Sipas burimit, takimi përfundoi në një atmosferë të tensionuar.
Para se të largohej, përfaqësuesi i IRGC-së i tha Pezeshkianit se e vetmja gjë që Garda Revolucionare pret aktualisht nga qeveria është të ruajë moralin e publikut, duke premtuar se forca nuk do ta kursejë mbështetjen pas luftës. Pezeshkian u përgjigj me një të qeshur dhe citoi një thënie nga Nahj al-Balagha: “Zoti e mëshiroftë atë që e di nga ka ardhur, ku ndodhet dhe ku po shkon”.
Këto deklarata duket se përputhen edhe me informacione të tjera të siguruara nga IranWire për mosmarrëveshje të brendshme në rritje brenda qeverisë.
Burimi, identiteti i të cilit nuk është bërë publik nga IranWire, tha se vendimi për të zbuluar këto detaje lidhet me shqetësime të thella për të ardhmen e Iranit dhe ndikimin e gjerë të Gardës Revolucionare në institucionet politike dhe ekonomike të vendit.

Pezeshkian: Profile of President-elect | The Iran Primer

Advertisement