Bota
Franca përgatit ‘bishën e detit’/ Aeroplanmbajtësja e re që ndryshon lojën
Franca po avancon me projektin për aeroplanmbajtësen e gjeneratës së re, e njohur si PANG (Porte-Avions de Nouvelle Génération), e cila synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet ushtarake në det.
Sipas raportimeve, marina franceze po shqyrton mundësinë e pajisjes së saj me tre sisteme elektromagnetike lëshimi (EMALS), në vend të dy që ishin planifikuar fillimisht.
Ky ndryshim synon të rrisë ritmin e operacioneve dhe të garantojë funksionim të pandërprerë edhe në rast defekti të një sistemi.
Me këtë konfigurim, aeroplanmbajtësja mund të realizojë deri në 60 fluturime luftarake në ditë, një rritje e ndjeshme krahasuar me kapacitetin aktual të “Charles de Gaulle”.
Teknologjia EMALS, e zhvilluar në SHBA, lejon lëshime më të buta dhe më të kontrolluara të avionëve, duke reduktuar dëmtimet strukturore dhe duke mundësuar përdorimin e avionëve më të rëndë.
Ajo gjithashtu ul kostot e mirëmbajtjes dhe rrit shpejtësinë e rifillimit të operacioneve.
Megjithatë, ky sistem ka edhe kosto të lartë. Franca ka rënë dakord që në vitin 2021 të blejë dy sisteme EMALS nga kompania amerikane General Dynamics për rreth 1.2 miliardë euro, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit total të projektit.
Autoritetet franceze po analizojnë gjithashtu varësinë nga teknologjia amerikane dhe mundësinë për të zhvilluar alternativa vendase nëse lindin probleme në furnizim.
Aktualisht, Franca operon vetëm një aeroplanmbajtëse, “Charles de Gaulle”, në shërbim që nga viti 2001, ndërsa përpjekjet për një të dytë kanë dështuar në të kaluarën.