Kosova
Hashim Thaçi: Gjyqi ndaj meje mund të shtrembërojë kuptimin historik të asaj që ndodhi në Kosovë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAS).
Lidhur me atë se gjyqi ndaj tij mund të shtrembërojë kuptimin historik të asaj që ndodhi në Kosovë në vitin 1999, ish-presidenti ka përmendur se ky është një shqetësim i një numri të madh njerëzish në Kosovë.
“Pjesa më e madhe e asaj që u fabrikua shërbeu për të ndikuar, jo për të vërtetën. Nëse e pranojmë këtë, nuk do të jetë çudi nëse pretendimet dhe trillimet e ardhshme të Putinit pranohen në mënyrë të ngjashme si të vërteta dhe përdoren kundër presidentit Zelensky dhe rezistencës ukrainase”.
“Në të kundërt, Kosova kurrë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, nuk sulmoi asnjë centimetër të territorit serb. Duhet të kujtojmë se populli i Kosovës po luftonte kundër shtypjes; ata po luftonin, fjalë për fjalë, për të drejtën e tyre njerëzore për të ekzistuar në këtë tokë. Bëhej fjalë për mbijetesën e tyre si individë dhe si popull. Ky proces nuk duhet të përdoret si një mjet për të rishkruar historinë dhe për të zvogëluar vuajtjet e vërteta të një populli”.
Thaçi ka shprehur keqardhje që disa figura shumë të rëndësishme nuk janë gjallë për të dëshmuar dhe për të treguar qëllimin që kishte Kosova.
“Në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën dhe spastrimin etnik. Vendimi ynë pasqyroi përkushtimin ndaj dialogut dhe bashkëjetesës paqësore.”
“Më vjen keq që figura si Madeleine Albright, Richard Holbrooke dhe Robert Dole nuk janë më gjallë; ata do të kishin qenë dëshmitarë të rëndësishëm. Ata e kuptonin kontekstin dhe qëllimet e popullit të Kosovës. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës rezistoi. Pa këtë rezistencë dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot”.
Thaçi është pyetur edhe për bisedimet me Serbinë, për çka ka thënë se qëllimi kryesor i tij ka qenë sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se “do të ishte e pafalshme t’u liheshin çështjet e pazgjidhura brezave të ardhshëm”.
“Angazhimi im ishte të ndiqja rrugët diplomatike për të arritur rezultate brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, gjithmonë në bashkëpunim me aleatët tanë kryesorë. Bashkimi Evropian luajti një rol jetik në lehtësimin e një dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, përvoja ka treguar se progresi është gjithmonë i mundur kur Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përfshira në mënyrë aktive në rajonin tonë”.