Bota
Bisedimet me Iranin brenda dy ditësh, Trump për “New York Post”: Fantastike menaxhimi i bisedimeve
Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se bisedimet në Pakistan me Iranin mund të rifillojnë shumë shpejt, brenda dy ditësh.
Por, nga ana tjetër, situata në Ngushticën e Hormuzit, pikën që mban peng negociatat mes palëve, vijon të jetë e tensionuar.
Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance, thotë se Trump dëshiron të arrijë një “marrëveshje të madhe” me Iranin, por pranon vështirësinë e zgjidhjes së mosbesimit midis vendeve. Ndërkohë, Vance mund të jetë udhëheqësi i delegacionit të raundit të dytë të negociatave.
Vance deklaroi se Trump “nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje të vogël. Ai dëshiron të bëjë një marrëveshje të madhe. Ky është shkëmbimi që ai po ofron dhe që Trump po i thotë Iranit: ‘Nëse angazhoheni të mos keni një armë bërthamore, ne do ta bëjmë Iranin të lulëzojë. Do ta bëjmë ekonomikisht të begatë dhe do ta ftojmë popullin iranian në ekonominë botërore në një mënyrë që nuk ka qenë kurrë gjatë gjithë jetës sime’”, shpjegoi ai.
Zëvendëspresidenti deklaroi se ka shumë “mosbesim” midis Uashingtonit dhe Teheranit, i cili nuk mund të zgjidhet brenda një dite, por shtoi se negociatorët iranianë duan të arrijnë një marrëveshje dhe se ai ndihet “shumë i sigurt”.
Izraeli dhe Libani po synojnë të zhvillojnë negociata të mëtejshme të drejtpërdrejta pasi ranë dakord të punojnë drejt reduktimit të ndikimit të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
Të martë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se gjashtë anije tregtare janë detyruar të ndryshojnë drejtim dhe të kthehen në porte iraniane në Gjirin e Omanit.
Sipas Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, në 24 orët e fundit asnjë anije nuk ka arritur të kalojë bllokadën.
Operacioni amerikan përfshin mbi 10 mijë trupa, përfshirë marinarë, trupa detare dhe forca ajrore, si dhe rreth 10 anije luftarake dhe dhjetëra avionë.
Autoritetet theksojnë se bllokada zbatohet për të gjitha anijet, pa dallim, ndërsa lundrimi mbetet i lirë vetëm për ato që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit drejt porteve jo iraniane
Ndërkohë, Kina e quan bllokadën “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”, ndërsa Irani thotë se ajo është shkelje e sovranitetit të tij.
Një anije cisternë kineze është kthyer në Ngushticën e Hormuzit pasi kishte lënë Gjirin një ditë më parë, duke mos arritur të kalojë bllokadën e vendosur nga Shtetet e Bashkuara. Tetë anije kanë zbatuar udhëzimet e forcave amerikane për të ndryshuar kurs dhe për t’u kthyer në një port iranian.