Connect with us

Aktualitet

Siguria në rrezik/ Kosova dhe Shqipëria planifikojnë të bashkëprodhojnë pajisje ushtarake

Kosova dhe Shqipëria kanë nisur diskutimet për thellimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin dhe blerjet e përbashkëta.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, deklaroi para gazetarëve se kanë nisur diskutimet për bashkëprodhim me Shqipërinë në fushën e industrisë.

“Po shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojmë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim, kur të formojmë grupet dhe ekipet për identifikimin e asaj që mund të bashkëprodhojmë, por edhe për bashkëprokurim të sistemeve që na bëjnë të ndërveprueshëm”.

“E kemi edhe në deklaratën me Shqipërinë dhe Kroacinë si ndër pikat kyçe bashkëprodhimin, por edhe prokurimet e përbashkëta si tri vende, që të na mundësojë të jemi të ndërveprueshëm dhe të pajisur me sisteme cilësore”, deklaroi Maqedonci.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, u shpreh se bashkëpunimi në këtë fushë është thelbësor për kapacitetet e të dy vendeve dhe për garantimin e sigurisë së tyre.

“Besoj se ky diskutim do të vijojë edhe më tej me të gjitha impiantet e prodhimit që po ngrihen në Kosovë dhe Shqipëri, si simbol jo vetëm të zhvillimit teknologjik dhe industrial, por edhe të bashkëpunimit vëllazëror”.

Kosova synon që prodhimi i municioneve “Made in Kosova” të nisë në vitin 2026, ndërsa Shqipëria në muajin prill ka bërë hapat e parë drejt prodhimit të dronëve luftarakë, si dhe ndërtimit e riparimit të mjeteve motorike, lundruese ushtarake dhe civile, duke autorizuar arritjen e marrëveshjeve me kompani të industrisë së mbrojtjes.

Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë është i paraparë edhe në deklaratën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në vitin 2025. Kjo deklaratë u pa nga Serbia si “aleancë ushtarake kundër saj dhe serbëve”, pretendim që u mohua nga të tri shtetet.

Advertisement