Kosova
Kosova-Serbia në boshllëk, çfarë do të ndodhë, teksa Amerika dhe Europa janë larguar nga njëri-tjetri
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkruan se NATO ndodhet në krizën më të madhe të historisë së saj dhe ka pasoja për Ballkanin Perëndimor, që shpesh konsiderohet si fuçia e barutit e Evropës.
Para 25 vjetësh, në pranverën dhe verën e vitit 2001, një jehonë e fundit e luftërave jugosllave tronditi Ballkanin jugor. Në Maqedoni, një guerilë etnike shqiptare sulmoi pozicione ushtarake dhe shpalli zona në perëndim të vendit si “të çliruara”. Një pjesë e pakicës shqiptare në vend u solidarizua me të armatosurit. Lufta civile kërcënonte, shkruan në fillim të analizës media zvicerane.
Por Perëndimi, sipas saj, kishte mësuar diçka nga luftërat e shpërbërjes së viteve 1990, gjatë të cilave kishte qëndruar shpesh i pafuqishëm dhe pasiv.
Rëndësia e NATO-s dhe Bashkimit Europian për rajonin është e dukshme. BE-ja është partneri kryesor tregtar dhe investitor dhe u ofron vendeve perspektivë anëtarësimi. NATO është kaq e rëndësishme sepse prania e saj në Kosovë dhe anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi përbëjnë një pengesë kredibile ndaj aktorëve të dhunës.
Po çfarë do të thotë tani që dy garantuesit e rendit të paqes në Ballkan, SHBA dhe BE, janë larguar nga njëri-tjetri? Ku lindin rreziqe të reja dhe si mund të përballen ato?
Autoritetet dhe popullsia e Kosovës u alarmuan kur portali i lajmeve “Politico” raportoi se SHBA-ja mund të tërhiqej gradualisht nga misioni i KFOR-it. Edhe Beogradi reagoi, duke thënë se tërheqja do ta komplikonte situatën e sigurisë. Më vonë u pa se në Washington ka diskutime, por ende s’ka vendim. Megjithatë reagimet tregojnë se stabiliteti i rajonit lidhet ende fort me praninë amerikane.