Kosova
Yanis Varoufakis: Greqia po ndryshon qasje ndaj Kosovës, njohja s’duhet penguar nga e kaluara
Yanis Varoufakis, ish-ministër i financave të Greqisë, ka folur me tone pozitive për Kosovën, duke theksuar se imazhi i saj në Greqi ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit.
Sipas tij, në këtë ndryshim ka ndikuar edhe pozicioni që Kosova ka mbajtur në raport me përplasjet që Greqia ka pasur me Maqedoninë e Veriut.
“Kjo përplasje na ka kthyer prapa për dekada të tëra, i ka kthyer prapa maqedonasit dhe rajonin, kështu që për mua çfarë është e rëndësishme është që të largohemi nga konfliktet e pakuptimta”, shtoi ai.
Varoufakis theksoi se nacionalizmi mbetet një nga arsyet kryesore pse Greqia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Ai u shpreh se në Greqi ekziston bindja se nëse njihet Kosova, atëherë “legjitimohet” edhe Qiproja Veriore, e cila njihet si shtet vetëm nga Turqia.
Megjithatë, sipas tij, kjo qasje është e gabuar dhe i përket së kaluarës.
Ai shtoi gjithashtu se në Kosovë, në përgjithësi, që nga viti 2005, ka pasur zhvillime pozitive në politikat financiare.