Connect with us

Bota

Irani tallet me Trump pas dështimit të “Project Freedom”, bisedimet për fundin e luftës mbeten në ngërç

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-ve mbeten të larta, ndërsa përpjekjet për rifillimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit po shoqërohen me akuza, mosbesim dhe dështime operative në terren.
Presidenti Donald Trump u detyrua të tërhiqej papritur nga operacioni “Project Freedom”, një plan i shpallur për hapjen e ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare, vetëm një ditë pasi ishte bërë publik.
Sipas raportimeve, arsyeja kryesore e pezullimit ishte refuzimi i Arabisë Saudite për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake dhe hapësirës ajrore nga forcat amerikane për realizimin e operacionit. Vendimi i Riadit erdhi mes shqetësimeve për mungesë koordinimi me aleatët rajonalë dhe pas një sulmi iranian ndaj infrastrukturës naftësjellëse në Fujairah.
Ndërkohë, në Iran, dështimi i operacionit u prit me ironi. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi me një mesazh tallës në media sociale, duke e cilësuar operacionin amerikan si një dështim të pastër.
Në sfond, Washingtoni dhe Teherani po shqyrtojnë propozime të ndërsjella me nga 14 pika për rifillimin e negociatave. Shtetet e Bashkuara kërkojnë një marrëveshje më të qëndrueshme se armëpushimi aktual, përfshirë rihapjen e ngushticës dhe kompromis për programin bërthamor iranian, sanksionet dhe asetet e ngrira.
Nga ana tjetër, Teherani kërkon heqjen paraprake të bllokadës ekonomike dhe lirimin e një pjese të aseteve të ngrira, të vlerësuara në rreth 100 miliardë dollarë, si kusht për rikthimin në tryezën e negociatave.
Mosbesimi ndaj ekipit negociator amerikan mbetet i thellë. Irani sheh me skepticizëm përfshirjen e figurave si Jared Kushner dhe Steve Witkoff, duke i konsideruar si të afërt me interesat izraelite dhe pa eksperiencë të mjaftueshme në negociata bërthamore.
Situata mbetet delikate edhe për shkak të agjendës ndërkombëtare të Trump, i cili pritet të zhvillojë një takim me presidentin kinez Xi Jinping brenda pak ditësh dhe nuk dëshiron të shfaqet në një klimë lufte të hapur.

Analistët vlerësojnë se sulmet e fundit amerikano-izraelite kundër Iranit kanë forcuar pozitat e linjës së ashpër brenda regjimit iranian, duke e bërë çdo marrëveshje të ardhshme më të vështirë, më të paparashikueshme dhe potencialisht më të rrezikshme për stabilitetin rajonal.

Advertisement