Bota
Mbyllen hetimet për ish-komisionerin e zgjerimit Oliver Várhelyi, BE e liron nga akuzat
Komisioni Evropian ka mbyllur hetimin e brendshëm lidhur me një rrjet të dyshuar spiunazhi hungarez në Bruksel, duke liruar nga çdo akuzë komisionerin hungarez Olivér Várhelyi.
Çështja lidhej me raportimet e publikuara në tetor, sipas të cilave Përfaqësia e Përhershme e Hungarisë në Bashkimin Evropian kishte drejtuar një rrjet oficerësh inteligjence që paraqiteshin si diplomatë dhe që kishin në shënjestër stafin hungarez të institucioneve evropiane në periudhën 2012-2018.
Sipas raportimeve, operativët kërkonin informacione sensitive që lidhen me Hungarinë dhe përpiqeshin të rekrutonin zyrtarë hungarezë të BE-së.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balázs Ujvári, deklaroi se hetimi nuk gjeti prova që ndonjë zyrtar të ishte rekrutuar me sukses.
“Bazuar në informacionin e mbledhur gjatë hetimit dhe mjetet që kemi në dispozicion, nuk është e mundur të atribuohet përgjegjësi individuale përtej vetë oficerëve të inteligjencës”, tha ai.
Várhelyi ishte përfshirë në hetim pasi shërbeu si ambasador i Hungarisë në BE nga viti 2015 deri në 2019, periudhë që përkonte pjesërisht me aktivitetet e dyshuara. Më pas ai u emërua komisioner evropian nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Vetë Várhelyi kishte mohuar më herët çdo dijeni për rrjetin e dyshuar të spiunazhit dhe, sipas mediave, i kishte deklaruar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se nuk kishte dijeni për aktivitete të tilla.
Vendimi i Komisionit vjen vetëm një ditë përpara marrjes së detyrës nga kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar, pas fitores së tij në zgjedhjet e muajit të kaluar.
Marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit janë tensionuar prej vitesh për shkak të përplasjeve mbi sundimin e ligjit, demokracinë dhe lirinë e medias në Hungari.