Bota
Gjermania në krizë/ Priten anulimet e miliona fluturimesh, shkak mungesa e naftës
Shoqata e Aeroporteve Gjermane (ADV) ka paralajmëruar se në të ardhmen mund të ketë anulime fluturimesh dhe rritje të çmimeve të biletave për shkak të mungesës së karburantit për avionë.
“Ne druhemi se do të anulohen edhe më shumë fluturime, veçanërisht nga linjat ajrore me kosto të ulët dhe drejt destinacioneve me më pak rëndësi turistike”, tha drejtori ekzekutiv i ADV-së, Ralph Beisel, për edicionin e nesërm të gazetës gjermane “Welt”.
Sipas tij, në skenarin më të mirë për vitin 2026, numri i pasagjerëve do të mbetet në nivelet aktuale.
“Në skenarin më të keq, disa aeroporte mund të përballen me një rënie prej 10% të kapacitetit. E llogaritur në të gjitha aeroportet, kjo do të prekë rreth 20 milionë pasagjerë”, tha Beisel.
Lufta në Iran po pengon transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, duke rritur çmimet e karburantit për avionë dhe duke detyruar disa kompani ajrore të anulojnë fluturime.
“Çmimet e kerosenit kanë qenë dy herë më të larta se para luftës për më shumë se dy muaj. Nuk presim që situata të normalizohet në muajt e ardhshëm”, tha Beisel.