Sport
Messi: Lamine Yamal është më i miri i brezit të ri
Lionel Messi ka folur së fundmi për talentin e ri të FC Barcelona, Lamine Yamal, duke e cilësuar si lojtarin që i kujton më shumë veten në vitet e para të karrierës.
Që prej debutimit të tij me ekipin e parë të Barcelonës, Yamal është krahasuar vazhdimisht me Messin, jo vetëm për stilin e lojës, por edhe për faktin se të dy janë lojtarë me këmbë të majtë dhe të aftë në driblime. Tashmë, talenti spanjoll mban edhe fanellën me numrin 10, një simbol i trashëguar nga legjenda argjentinase.
Në një event të organizuar nga Adidas pas publikimit të reklamës për Kupën e Botës 2026, Messi u pyet se cili lojtar i ri i ngjan më shumë vetes në moshë të re. Ai nuk hezitoi të përmendte Yamalin.
“Ka shumë lojtarë të rinj me talent, por nëse duhet të zgjedh një për atë që ka treguar deri tani dhe për të ardhmen që e pret, do të zgjidhja Lamine Yamal”, është shprehur Messi.
Argjentinasi foli edhe për rivalitetin historik me Cristiano Ronaldo, duke theksuar se gjithçka mes tyre ka qenë gjithmonë sportive dhe me respekt reciprok.
Sipas tij, krahasimet mes futbollistëve janë të natyrshme, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë që garojnë në nivelet më të larta. Messi shtoi se rivaliteti me Ronaldon ishte një nga periudhat më të bukura në futboll dhe se marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë korrekte jashtë fushës.