Bota
Kuba, sfida që SHBA nuk e fitoi dot kurrë dhe tragjedia që ndryshoi gjithçka
Aktakuza në Shtetet e Bashkuara kundër Raul Castros rihap një nga faqet më dramatike të luftës së gjatë të ftohtë të Karaibeve midis Uashingtonit dhe regjimit të Castros.
Për dekada, presidentë amerikanë nga Bill Clinton te Barack Obama tentuan të zbusnin konfliktin me Havanën. Por sipas analizave dhe dokumenteve të reja amerikane, regjimi i Castrove iu përgjigj çdo tentative afrimi me represion, provokime dhe dhunë. Sot, padia ndaj 94-vjeçarit Raúl Castro rikthen në qendër një nga episodet më të errëta të historisë moderne kubane: rrëzimin e dy avionëve civilë amerikanë në vitin 1996.
Inkriminimi në Shtetet e Bashkuara i ish-udhëheqësit kuban Raúl Castro ka rikthyer në vëmendje një nga plagët më të rënda të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe regjimit komunist kuban.
Çështja lidhet me rrëzimin, më 24 shkurt 1996, të dy avionëve civilë të organizatës antikastriste “Brothers to the Rescue” (“Hermanos al Rescate”), të cilët u goditën nga avionë luftarakë MiG të ushtrisë kubane mbi ngushticën e Floridës. Në sulm humbën jetën katër persona: tre shtetas amerikanë dhe një rezident i përhershëm në SHBA.
Për komunitetin kuban në mërgim në Miami, ajo ngjarje mbeti për dekada një plagë e hapur. Sot, Departamenti Amerikan i Drejtësisë pretendon se urdhri për rrëzimin e avionëve erdhi nga zinxhiri komandues ushtarak i drejtuar nga Raúl Castro, i cili në atë kohë ishte ministër i Forcave të Armatosura Revolucionare dhe njeriu i dytë më i fuqishëm i regjimit pas Fidel Castros.
Por kjo histori shkon përtej një incidenti ushtarak. Ajo përfaqëson dështimin e përsëritur të çdo tentative amerikane për të normalizuar marrëdhëniet me Kubën dhe përplasjen e vazhdueshme mes diplomacisë amerikane dhe logjikës represive të regjimit kastrist.
Në mesin e viteve ’90, Kuba po kalonte një nga momentet më dramatike që nga revolucioni i vitit 1959. Bashkimi Sovjetik ishte shembur, subvencionet nga Moska kishin përfunduar dhe ekonomia kubane po zhytej në krizën e njohur si “periudha speciale”.
Në këtë klimë lindi organizata “Brothers to the Rescue”, e themeluar nga José Basulto, një ish-pilot dhe emigrant kuban. Fillimisht organizata kishte mision humanitar: kërkimin dhe shpëtimin e refugjatëve kubanë në det.
Por me kalimin e kohës, fluturimet pranë hapësirës ajrore kubane morën edhe karakter politik. Në disa raste, avionët hodhën fletushka antikastriste mbi Havanë, gjë që regjimi kuban e konsideroi provokim të drejtpërdrejtë.
Në atë kohë, presidenti amerikan Bill Clinton po përpiqej të ndiqte një qasje më pragmatike ndaj Kubës. Ai nuk ishte gati të hiqte embargon, por kërkonte hapësira për dialog dhe zbutje tensionesh.
Pas krizës së emigrantëve kubanë në vitin 1994, SHBA dhe Kuba kishin nisur edhe negociata për çështjet migratore. Clinton besonte se izolimi total nuk kishte prodhuar rezultat dhe se hapja graduale ekonomike e diplomatike mund të sillte transformim të brendshëm në sistemin kuban.
Ishte një strategji që ngjante me qasjen amerikane ndaj Kinës postmaoiste: më shumë kontakte, më shumë treg, më shumë shkëmbime kulturore dhe ekonomike, me shpresën se sistemi autoritar do të zbutjej gradualisht.
Por kjo strategji u përplas me logjikën e regjimit të Castrove.
Më 24 shkurt 1996 ndodhi tragjedia që ndryshoi gjithçka.
Dy avionë Cessna të “Brothers to the Rescue” u interceptuan nga avionë kubanë MiG-29 dhe MiG-23. Pilotët kubanë lëshuan raketa ajër-ajër që shkatërruan avionët civilë. Një avion i tretë arriti të arratisej.
Debati kryesor lidhej me vendin ku ndodhi sulmi. Kuba pretendoi se avionët kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore. SHBA deklaroi se avionët ndodheshin në ujëra ndërkombëtare.
Hetimet e mëvonshme të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil mbështetën versionin amerikan: sulmi kishte ndodhur jashtë hapësirës ajrore kubane.
Për Uashingtonin, kjo ishte një tronditje politike dhe morale. Jo vetëm sepse u vranë qytetarë amerikanë, por sepse ngjarja u interpretua si ekzekutim i qëllimshëm ndaj civilëve të paarmatosur.
Regjistrimet audio të publikuara vite më vonë tregonin pilotët kubanë duke festuar pas lëshimit të raketave. Dokumente të deklasifikuara dhe hetime mediatike pretendojnë gjithashtu se Raúl Castro kishte urdhëruar rrëzimin e avionëve “në det”, pa pritur autorizime të tjera.
Pasojat politike për Bill Clinton ishin katastrofike.
Çdo tentativë për afrimin me Kubën u shkatërrua brenda pak orësh. Pak muaj më vonë, Clinton firmosi ligjin Helms-Burton, i cili forcoi embargon amerikane ndaj Kubës dhe e ktheu pjesën më të madhe të sanksioneve në ligj federal, duke e bërë shumë më të vështirë heqjen e tyre nga presidentët pasardhës.
Në vend që të përfitonte nga një mundësi për zbutjen e izolimit ekonomik, regjimi kuban zgjodhi përplasjen dhe konfrontimin ideologjik.
Ky model, sipas shumë analistëve amerikanë, është përsëritur vazhdimisht gjatë dekadave.
Sa herë që nga Uashingtoni ka ardhur një tentativë për hapje, regjimi kuban është përgjigjur me represion, arrestime apo ashpërsim të retorikës antiamerikane.
Për regjimin kastrist, konflikti me SHBA ka qenë jo një problem, por një instrument mbijetese politike. Embargoja dhe “kërcënimi amerikan” janë përdorur për dekada për të justifikuar kontrollin policor, mungesën e pluralizmit dhe shtypjen e opozitës.
Ndërsa një pjesë e së majtës ndërkombëtare vazhdonte ta shihte Fidel Castron si simbol romantik të rezistencës kundër SHBA-së, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dokumentonin arrestime arbitrare, censurë, burgosje të disidentëve dhe represion ndaj kundërshtarëve politikë.
Kuba nuk ishte vetëm alfabetizim dhe sistem shëndetësor falas. Ishte edhe burg politik, kontroll total i shtetit mbi jetën publike, ndalim i pluralizmit dhe eliminim i mediave të pavarura.
Edhe Barack Obama provoi të ndryshonte kursin.
Në vitin 2014 ai shpalli normalizimin e marrëdhënieve diplomatike me Kubën dhe në vitin 2016 zhvilloi vizitën historike në Havana, duke i dhënë fund mbi gjysmë shekulli ngrirje diplomatike.
Strategjia e Obamës ishte e ngjashme me atë të Clinton: më shumë hapje ekonomike, më shumë turizëm, më shumë internet dhe kontakte njerëzore, me shpresën se shoqëria kubane do të shtynte gradualisht regjimin drejt reformave politike.
Por edhe kjo përpjekje dështoi.
Regjimi kuban përfitoi ekonomikisht nga hapja, por nuk tregoi asnjë gatishmëri reale për liberalizim politik. Aparati i sigurisë mbeti i paprekur, ndërsa arrestimet e opozitarëve dhe aktivistëve vazhduan.
Pas protestave masive të korrikut 2021, pushteti kuban riktheu edhe një herë fytyrën më të ashpër të regjimit: arrestime masive, procese të përshpejtuara dhe dënime të rënda për protestuesit.
Sot, akuza ndaj Raúl Castros ka më shumë vlerë simbolike sesa juridike. Në moshën 94-vjeçare, është pothuajse e pamundur që ish-udhëheqësi kuban të përfundojë realisht para një gjykate amerikane.
Por mesazhi politik është i qartë: për SHBA-në, rrëzimi i dy avionëve civilë në vitin 1996 nuk ishte një incident i Luftës së Ftohtë, por një akt i qëllimshëm kundër civilëve.
Dhe për shumë amerikanë, ajo ngjarje mbetet prova se pas mitit revolucionar të Fidel dhe Raúl Castros fshihej një sistem autoritar i ndërtuar mbi frikën, represionin dhe mbijetesën politike me çdo kusht. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
