Aktualitet
Tragjedi në Itali/ Humb jetën në det 22-vjeçari shqiptar, pak javë para ditëlindjes
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Cadimare të Italisë, ku një i ri shqiptar humbi jetën teksa ishte futur në det për t’u larë.
Viktima është identifikuar si 22-vjeçari Ambler Xhoecuka, i cili sipas mediave italiane do të festonte 23-vjetorin vetëm pas pak javësh.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 të datës 20 maj, në plazhin e vogël të Cadimare, në zonën e njohur si “Gjiri i Poetëve”. Sipas raportimeve, i riu kishte zbritur në breg, kishte lënë rrobat dhe sendet personale pranë një muri dhe më pas ishte futur në ujë. Por vetëm pak minuta më vonë ai dyshohet se është ndier keq, ndërsa ndodhej rreth 50 metra larg bregut.
Alarmin e dha një grua që po kalonte pranë zonës. Ajo vuri re një trup të palëvizur që pluskonte në sipërfaqen e ujit dhe nisi të kërkonte ndihmë me britma. Thirrjet e saj u dëgjuan nga disa të rinj që po luanin futboll në një fushë sportive aty pranë. Dy prej tyre u hodhën menjëherë në det dhe arritën ta nxirrnin 22-vjeçarin në breg.
Njëri prej të rinjve, i trajnuar për ndihmën e parë dhe me patentë shpëtimtari plazhi, nisi menjëherë manovrat e reanimimit deri në mbërritjen e ambulancës dhe ekipit mjekësor. Në vendngjarje mbërritën edhe efektivët e policisë italiane.
Mjekët tentuan për gati një orë ta rikthenin në jetë të riun shqiptar, por fatkeqësisht zemra e tij nuk rifilloi më të rrihte.
Autoritetet arritën ta identifikonin përmes dokumenteve dhe sendeve personale që kishte lënë në breg.
Dyshimet paraprake janë se i riu mund të ketë pësuar një problem shëndetësor ose gjendje të fikëti, ndërsa notonte në ujërat ende të ftohta të gjirit. Megjithatë, autoritetet italiane pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes.