Bota
Kush janë dy shqiptarët që terrorizuan Athinën, pistat ku po heton policia
Autoritetet greke kanë zbuluar identitetin e dy shqiptarëve të arrestuar pas një ndjekjeje spektakolare në rrugët e Athinës, që nisi pas plagosjes me armë të një tregtari pakistanez.
Sipas mediave greke, në pranga ranë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç dhe Adi Beqiri, 27 vjeç, si edhe një shtetas grek, ndërsa një person i katërt arriti të arratisej dhe është shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 18:30, në zonën e Patisionit. Një person hyri në një dyqan telefonash celularë dhe qëlloi me armë zjarri pronarin e biznesit, me origjinë pakistaneze, duke e plagosur në këmbë.
Menjëherë pas sulmit, autori u largua me një automjet tip “BMW” ngjyrë gri, ku e prisnin tre persona të tjerë. I plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia greke nisi menjëherë ndjekjen e automjetit, i cili gjatë arratisjes kreu manovra të rrezikshme dhe u përplas me disa mjete të tjera në rrugë.
Makina u lokalizua më pas në rrugën “Tsounta”, pranë bulevardit “Kifissou”, në aksin drejt Lamias. Aty automjeti humbi kontrollin pas përplasjes me tre deri në katër makina dhe u neutralizua nga forcat e policisë.
Tre persona u arrestuan në vendngjarje, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për personin e katërt të përfshirë në incident.
Sipas burimeve hetimore, njëri prej shqiptarëve të arrestuar rezulton me precedent të rëndë penal. Ai është akuzuar më herët për tentativë vrasjeje ndaj një biznesmeni në vitin 2022 në zonën e Kifissias, ku dyshohet se e kishte sulmuar me thikë.