Politike
Rama ka kultivuar te të rinjtë shqiptarë idenë se ajo çfarë ka rëndësi është luksi, është paraja
Klevis Balliu ka ngritur alarmin se shoqëria po përballet me një deformim të rëndë të vlerave, ku profesionet e ndershme po nëpërkëmben, ndërsa krimi po romantizohet me bekimin e heshtur të pushtetit.
Teksa mjekët dhe pedagogët sipas ligjvënësit të PD janë sulmuar dhe zhvlerësuar vazhdimisht, duke u portretizuar si figura pa të ardhme, kultivimi i kanabisit dhe trafiku i lëndëve narkotike nga ana tjetër, jo vetëm që u normalizuan, por u kthyen në një alternativë “suksesi”.
Ky pushtet, u shpreh ndër të tjera deputeti i PD, po i shtyn të rinjtë drejt modelit të trafikantit të suksesshëm, ngjashëm me propagandën kinematografike që lartëson figura të krimit, duke shkatërruar kështu përfundimisht të ardhmen e shoqërisë.
Në rastin konkret vërtetohet që ajo shprehja e vjetër që ‘nëse nuk merresh ti në politikë, merret politika me ju’. Fakti që sot politika e Edi Ramës ka mbyllur sytë përballë krimeve të organizatave, të karteleve të drogës, ka sjellë një deformim në shoqërinë tonë. Por jo vetëm kaq, por dhe goditja sistematike drejt arsimit, drejt kulturës, drejt shëndetësisë, ka bërë që brezi i ri të shikojë pedagogun, për shembull, si një punonjës i cili nuk ka të ardhme, si një funksion apo si një profesion i cili nuk të përmbush dot në shoqëri. E njëjta gjë vlen dhe për mjekët dhe këtu dua t’ju kujtoj atë zhurmën dhe aksionet e qeverisë duke sulmuar pedagogët që këta marrin para për provimet, apo duke sulmuar infermierët që këta marrin para për shiringën apo për të të futur në spital dhe të gjitha të tjerat.
Një zhurmë shumë e madhe që u ngrit diku te vitet 2015-2016. Dhe ndërkohë, ndërkohë justifikoheshin plantacionet e mëdha të kanabisit që ishin në të gjithë Shqipërinë. Mbylleshin sytë përpara këtyre plantacioneve që mbinin në çdo cep, në çdo rrugicë, në çdo lagje, madje dhe nëpër ballkonet e qytetarëve. Dhe avash-avash politika e Edi Ramës e ktheu trafikun e drogës, shpërndarjen e drogës jo më si një normalitet, jo thjesht një normalitet, por si një alternativë për t’u përmbushur si njeri në Shqipëri. Pra, që të ishe një njeri i suksesshëm, që të kishe lidhje me pushtetin, madje në disa raste i quajnë këta si biznesmenë.
Dhe po të shikosh për shembull daljen nëpër mediat e pushtetit, po të shikosh po biznesmeni filan apo fistek… biznesmeni u kapet me 300 mijë euro cash në bagazh. Nuk ka biznesmen që lëviz me 300 mijë euro cash në bagazh. Nuk ekziston! Këtë të gjithën e ndërtoi Edi Rama si një politikë të vetën për të inkriminuar institucionet e shtetit, po e po, por dhe shoqërinë. Dhe nëse shikon vrasjet që janë bërë në këtë kohë, po marrim nga Sadikaj që u hodh në erë në Tiranë apo rasti i Don Boskos, janë shumë raste të tjera… shikoni moshën mesatare, janë rreth të 30-tave. Pra janë një brez që janë rritur 14 vjet duke u ushqyer që nuk quhesh më trafikant droge, por quhesh si ‘djali i shkathët’. Djali i suksesshëm. Dhe kur bëhesh shumë i suksesshëm madje mund të të thonë dhe biznesmen, siç ishte rasti i biznesmenit Ervin Mata e të tjerë, ndërtuesi filan fisteku.
Të gjithë këto janë biznesmenë, për shembull të Tropojës quhen biznesmenë. Të Xibrakës janë pronarë ekipesh, janë biznesmenë. Jo, këta janë trafikantë! Dhe kjo kulturë u shtri më pas në shkolla. U shtri më pas te brezi i ri që është sot. Një brez i cili, duke e goditur arsimin, siç u godit që ne ramë me 80 vende, dhe siç ishte dhe studimi i Bankës Botërore që 40% e vajzave 25-vjeçare janë pa gjimnaz, janë vetëm me 9-vjeçare. Duke u goditur në mënyrë sistematike arsimi dhe profesionet akademike dhe kultura e dijes dhe të gjithë shkallët në botën akademike.
Atëherë dhe brezi i ri u rrit me idenë që këto nuk kanë rëndësi. Ajo çfarë ka rëndësi është luksi, është paraja. Dhe si mund të merret paraja në Shqipëri? Se një pedagog me 600-700 mijë lekë në muaj çfarë luksi do ketë? Çfarë sigurie do ketë? Një mjek apo një infermier me ato rroga mjerane që i paguajnë, ndërkohë në të gjithë botën ata janë pjesa më e pasur e shoqërisë… Atëherë kush mbetej alternativa? Alternativa mbetej stili i Xibrakës, stili i Tropojës, stili Çela, që janë njerëz të fuqishëm që kontrollojnë, jo vetëm që kontrollojnë, por këta kanë fuqinë të bëjnë deputetë tani, të bëjnë ministra.
Këta kanë fuqi të të sjellin në pushtet! Dhe këtu u normalizua. Tani, në këtë situatë kemi një problem madhor. Që të parët që po goditen janë të rinjtë dhe të rejat dhe prandaj i bëra këtë thirrje prindërve. Domethënë, çështja me Edi Ramën nuk është më çështja hajde të mbrohemi nga politikat e Edi Ramës se s’na pëlqejnë taksat që ka vënë Edi Rama apo kjo tjetra. Jo! Kjo është një çështje jetike që hajde të mbrojmë fëmijët nga Edi Rama! Edi Rama është tani, pushteti i tij është gogoli për fëmijët tanë.