Aktualitet
Mesazh i fortë nga Ambasada e SHBA në Tiranë: Plani i ri kundër krimit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka ndarë një njoftim të rëndësishëm lidhur me një nismë rajonale për goditjen e krimit të organizuar, financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet ligjzbatuese të SHBA-së janë duke bashkëpunuar ngushtë me agjencitë homologe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në fokus të këtij programi të posaçëm është përdorimi i mjeteve të avancuara të hetimit financiar për të zbuluar aktivitetet e paligjshme dhe për të sekuestruar pasuritë e grupeve kriminale.
Programi udhëhiqet nga Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT) e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe financohet nga Byroja Kundër Terrorizmit e Departamentit të Shtetit. Në këtë kuadër, zyrtarë të lartë nga Hetimi Kriminal i IRS-së (Agjencia e Tatimeve në SHBA) kanë trajnuar ekspertët e rajonit mbi metodat se si të sigurohen prova të forta për ndjekje penale.
“Zyrtarët nga Hetimi Kriminal i IRS-së shpjeguan se si të përdoren mjetet e hetimit financiar për të zbuluar aktivitete të paligjshme, për të siguruar prova për ndjekje penale dhe për të sekuestruar fitimet e përfituara në mënyrë të paligjshme,” bën me dije Ambasada e SHBA-së.