Politike
Pankartat hit në protestën kundër Zvërnecit, Rama i ironizon: Ato më të nxehtat…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat kundër projektit në Zvërnec, kësaj radhe me një postim në rrjetet sociale, ku ka komentuar memet dhe materialet satirike që janë prodhuar gjatë ditëve të fundit në lidhje me debatin për projektin.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Rama shkruan se, ndonëse nuk pajtohet me atë që e quan “revolucioni imagjinar i flamingove”, vlerëson kreativitetin e autorëve të memeve.
“RROFTË MEMEMANIA. Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove. Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shton se ka parë edhe materiale të tjera që, sipas tij, nuk mund t’i publikojë për shkak të përmbajtjes së tyre.
“Sinqerisht u përcjell përgëzime e falënderime autorëve, ndërkohë që më vjen keq vërtet, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta”, vijon ai.
Në fund të reagimit, Rama përsërit qëndrimin e tij se kundërshtimet ndaj projektit bazohen mbi skenarë të pavërtetë dhe frikëra të pajustifikuara.
Ai i cilëson si “rreziqe imagjinare” shqetësimet e ngritura ndaj projektit, duke mbrojtur investimin që, sipas tij, do të kontribuojë në transformimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec po vijojnë në disa qytete të vendit.
Edhe të dielën, tubime u zhvilluan në Tiranë, Shkodër, Korçë, Pogradec, Elbasan, Fier dhe Gjirokastër, ku qytetarët shprehën kundërshtimin ndaj projektit dhe ngritën shqetësime për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e zonave të ndjeshme natyrore.













