Kosova
Zgjedhjet në Kosovë do fundosin qytetarët/ Andoni: Mungesë investimesh e sanksione ndërkombëtare
Kosova rrezikon sërish të futet në një humnerë të re politike dhe ekonomike, ku kokëfortësia e liderëve partiakë mund t’i kushtojë shtetit qindra miliona euro.
Analisti Ben Andoni tha se ndërsa vendi aktualisht përballet me mungesën e një presidenti, kryeministri dhe kabineti qeveritar funksional, po shkon drejt një skenari të paralizës totale.
Fatura e këtij kolapsi nuk do të paguhet nga politikanët – theksoi Andoni – por nga njerëzit e thjeshtë: studentët, pensionistët dhe qytetarët e zakonshëm, të cilët mbeten peng i pazareve dhe ngërçeve partiake.
Për analistin Andoni, në qendër të këtij kaosi qëndron Lëvizja Vetëvendosje, e cila pavarësisht se dikur mbante 61 mandate, tani përballet me rrjedhje të brendshme dhe një tkurrje në 57 mandate.
Fjalori i ashpër dhe ofendues i përdorur gjatë fushatave ndaj kundërshtarëve politikë ka krijuar barriera të pakapërcyeshme, duke e izoluar partinë në pushtet.
Tanimë, për të mbijetuar politikisht – Theksoi Andoni – asaj mund t’i duhet të shkelë “vijat e kuqe” të vendosura prej saj dhe t’i shtrijë dorën Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), një forcë që aktualisht po kalon testin më të madh të imazhit pas humbjes së liderëve të saj historik.
“Por derisa elita politike vazhdon të masë forcat, faturat po rriten. Zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë thjesht 7 apo 10 milionë euro kosto administrative, por ato do shoqerohen që nga mungesa e investimeve, bllokimi i projekteve qeveritare dhe masat sanksionuese ndërkombëtare” – potencoi Ben Andoni