Aktualitet
Botërori 2026/ S’ndalen surprizat, Arabia Saudite frenon 1-1 Uruguain në Grupin H
Mëngjesin e kësaj të marte me orën shqiptare, Arabia Saudite dhe Uruguai barazuan 1-1 në ‘Hard Rock Stadium’ të Miamit për ndeshjen e parë në Grupin H të Kupës së Botës 2026. Pas barazimit 0-0 mes Spanjës dhe Kepit të Gjelbër dhe barazimit 1-1 mes Belgjikës e Egjiptit, ishte radha e Arabisë Saudite për të surprizuar.
Arabët kaluan të parët në epërsi pas 41 minutave lojë. Një rrëmujë në zonë nxori të lirë përballë Muslerës mbrojtësin Al Amri, i cili e ndali sferën në rrjetë.
Skuadra nga Amerika Latine u shokua dhe në pjesën e dytë trajneri Bielsa bëri tre zëvendësime. Duhej minuta e 80-të kur Maximiliano Araujo do të barazonte shifrat. Paçka golit të shënuar, Bielsa vendosi ta largonte nga fusha vetëm një minutë më vonë.
Pas ndeshjeve të para, Grupi H i Kupës së Botës është shumë interesant, pasi Uruguai, Arabia Saudite, Spanja dhe Kepi i Gjelbër kanë nga 1 pikë. Ndeshjet e radhës do të jenë; Spanjë – Arabia Saudite më 21 qershor dhe Uruguai – Kepi i Gjelbër më 22 qershor.