Connect with us

Politike

Rama: Bota nuk u zgjua nga Narta, por nga emri i Kushner dhe hija e vjehrrit të tij

Në mbledhjen e Grupit të PS, kryeministri Edi Rama komentoi sërish protestat për Zvërncin, duke thënë se bota nuk u zgjua nga Narta, por nga emri i Kushner dhe hija e vjehrrit të tij, Donald Trump. Rama thotë se Zvërneci u bë pjesë e një lufte ideologjike.
“Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore pa shkrehur municionet përkatëse. Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë.
Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës”, tha Rama.
“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë. Kjo vorbull përfshiu të reja, të rinj, patriot dixhitalë, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, njerëz nga të gjitha kontinentet, media sociale dhe tradicionale nga të gjitha kontinentet, parti politike në Europë dhe në SHBA, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Shqipërisë. Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore. Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, Flamingot, me fundin e kazanit dixhital”, tha mes të tjerash Rama.

Për kryeministrin Rama, në Shqipëri politika bëhet jo për të zgjidhur problemin, por duke u siguruar që problemi të vazhdojë.

“Ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet për të kuptuar politikën sot. Ka shumë nga kjo e sotmja, që filozovë e historian e kanë përshkruar kohë më parë se të vinim ne, Facebook e Tik Tok. Ata mund të na ndihmojnë të kuptojmë atë që po ndodh. Njëri prej atyre që nuk jetoi në epokën e internetit, na ndihmon ta kuptojmë shumë më shpejtë mekanizmin që ushqen me kaq sukses historinë e algoritmeve. Kur kritika bëhet identitet dhe kur njeriu nuk lufton më që problemi të zgjidhet, por që të mos mbarojë kurrë. Sepse kur problemi zgjidhjet, duhet të gjendet një problem tjetër. Natyrisht politika s’është kuzhinë, por mekanizmat njerëzore nuk ndryshojnë aq shumë dhe as ata politikë jo e jo. Objekti ndryshon, mekanizmi mbetet. Sot është një projekt, nesër një ligj, pastaj një aleacë, pastaj një roje apo polic i dehur. Nuk ka rëndësi objekti, rëndësi ka që motori të mos pushojë. Sepse kur pushon, nuk ka më lëndë djegëse”, tha Rama.

Advertisement