Politike
PROTESTA/ ZOGJTE ELEGANTE U BENE KAUZA E KAZANIT
Kryeministri Edi Rama ka komentuar debatet dhe reagimet që kanë shoqëruar projektin e investimit në Zvërnec, gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, Rama tha se për rreth 20 ditë Shqipëria është vendosur në qendër të një vëmendjeje të pazakontë në rrjetet sociale dhe në media, duke e cilësuar situatën si një “ciklon digjital” me përmasa që tejkalojnë vetë vendin.
Sipas kryeministrit, diskutimi për Zvërnecin ka përfshirë një gamë të gjerë aktorësh, nga përdorues të rrjeteve sociale dhe media ndërkombëtare, deri te parti politike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe aktorë të biznesit të turizmit në rajon.
Kreu i qeverisë ironizoi gjithashtu reagimet kundër projektit, duke deklaruar se “befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale”.
“Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, flamingot, me fundin e kazanit digjital”, deklaroi Rama.
Investimi i planifikuar në zonën e Zvërnecit ka shkaktuar protesta të përditshme gjatë javëve të fundit.
Ai ka deklaruar se vëmendja ndërkombëtare ndaj çështjes nuk lidhet me mbrojtjen e lagunës së Nartës, por me përfshirjen në projekt të biznesmenit Jared Kushner dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan Donald Trump.
Rama tha se debati për Zvërnecin është shndërruar në një përplasje ideologjike globale në rrjetet sociale, ku sipas tij janë përfshirë grupe dhe aktorë të ndryshëm politikë.
Sipas tij, ngjarja që ndezi reagimet ishte një konflikt mes punonjësve të sigurisë private dhe një protestuesi, i cili më pas u amplifikua në platformat online.
“Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore pa shkrehur municionet përkatëse”, u shpreh Rama.
Ai argumentoi se shqetësimi ndërkombëtar nuk erdhi si pasojë e gjendjes së lagunës së Nartës, duke kujtuar se vite më parë flamingot kishin braktisur zonën për shkak të gjuetisë së paligjshme.
“Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë”, deklaroi ai.
Rama shtoi se vëmendja globale u përqendrua te projekti për shkak të emrit të Jared Kushnerit dhe lidhjes së tij me Donald Trumpin.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online”, tha kryeministri.
Sipas tij, kundërshtarët e projektit në Shqipëri u përpoqën ta shfrytëzonin këtë vëmendje ndërkombëtare për të goditur qeverinë, duke e krahasuar situatën me përpjekjet e mëparshme të opozitës përmes protestave politike.
“Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush. I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra”, deklaroi Rama.
Po ashtu Rama ka deklaruar se kritika ndaj qeverisjes është e domosdoshme në një shoqëri demokratike, por sipas tij bëhet problematike kur shndërrohet në një qëllim në vetvete dhe jo në një mjet për zgjidhjen e problemeve.
Rama tha se një pjesë e debatit publik dhe politik sot ushqehet nga nevoja për të mbajtur gjallë konfliktin dhe jo për të gjetur zgjidhje.
“Kur kritika bëhet identitet dhe kur njeriu nuk lufton më që problemi të zgjidhet, por që të mos mbarojë kurrë. Sepse kur problemi zgjidhet, duhet të gjendet një problem tjetër”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas tij, mekanizmat që ushqejnë debatet publike nuk ndryshojnë, ndërsa objektet e polemikave zëvendësohen vazhdimisht.
“Sot është një projekt, nesër një ligj, pastaj një aleancë, pastaj një roje apo polic i dehur. Nuk ka rëndësi objekti, rëndësi ka që motori të mos pushojë. Sepse kur pushon, nuk ka më lëndë djegëse”, tha Rama.
Kryeministri iu referua gjithashtu reagimeve që kanë shoqëruar debatin për investimin në Zvërnec, duke argumentuar se në rrjetet sociale dhe në hapësirën publike janë bashkuar aktorë dhe qëndrime të ndryshme, shpesh pa lidhje me njëri-tjetrin.
Në vijim të fjalës së tij, Rama lëshoi edhe një mesazh kritik ndaj ish-përfaqësuesve të Partisë Socialiste, që sipas tij kanë ndryshuar qëndrim pasi janë larguar nga partia.
“Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj, as janë bashkë, por u mblodhën së bashku në një prurje që nxori në bregun e gjithë atij oqeani virtual deri te dhëmbët e atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit”, deklaroi ai.