Aktualitet
Nëntëmbëdhjetë gojë, asnjë fjalë
Nga Evarist Beqiri
Ka njerëz që fitojnë betejat. Ka njerëz që humbin betejat. Ka edhe një kategori tjetër. Ata që, pasi humbin betejën, ndryshojnë fjalorin dhe shpallin fitoren.
Kjo është arsyeja pse pushteti na siguron sot se flamingot e kishin fitoren në xhep që ditën e parë. Është një logjikë e çuditshme benevrekiste. Nëse fitorja ishte e sigurt, pse u deshën javë të tëra sulmesh, përqeshjesh dhe akuzash? Njeriu që fle i qetë nuk çohet natën për të kontrolluar dyert.
Protestuesit nuk trajtohen si qytetarë. Ata tratohen si specie. Një ditë sorra. Një ditë korba. Një ditë hiena. Një ditë vegla të interesave të errëta. Tipikisht, kur pushteti nuk arrin më të bindë njerëzit, fillon që t’i zoologjizojë ata. Kjo është gjuha e regjimeve të lodhura.
Pastaj erdhi Parlamenti Europian. Në vend që të reflektonte, gjyslykëkuqi na shpjegoi se rezoluta nuk kishte lidhje me atë që po protestohej. Se Zvërneci nuk ishte Zvërneci. Se Vjosa-Narta nuk ishte ajo që mendonim se ishte. Se harta duhej lexuar ndryshe.
Në Shqipëri kemi parë shumë gjëra. Kemi parë të ndryshojnë partitë, koalicionet dhe sloganet. Por rrallë kemi parë të ndryshojë edhe gjeografia. Pikërisht, kur argumentet dobësohen, lëvizin hartat.
Më pas u gjet edhe armiku i radhës. Protesta nuk ishte më protestë. Ajo është pjesë e një komploti më të madh. Një fshat që mbron lagunën e vet u shndërrua papritur në një nyje të politikës globale. Kjo është tragjedia e pushtetit të stërzgjatur. Ai pushon së dëgjuari njerëzit dhe fillon të dëgjojë vetëm jehonën e vet.
Tashmë në kulmin e kësaj historie ndodhi diçka edhe më domethënëse. Ndërsa qytetarët po protestojnë në shesh dhe Parlamenti Europian kërkon moratorium në zonat e mbrojtura, pushteti vendosi të emërojë një ushtri të re zëvendësministrash për komunikimin. Nëntëmbëdhjetë. Një numër që do të ishte mbresëlënës edhe për një korporatë marketingu.
Është një refleks i njohur i pushteteve të gjata. Kur realiteti bëhet i pakëndshëm, nuk ndryshojnë realitetin. Shtojnë komunikimin. Kur njerëzit nuk binden më nga propaganda, nuk rishikojnë politikat. Rrisin numrin e propagandistëve.
Por historia ka një problem të vjetër me këtë metodë. Nëntëmbëdhjetë zëvendësministra mund të prodhojnë më shumë deklarata. Mund të prodhojnë më shumë video. Mund të prodhojnë më shumë justifikime. Por nuk mund të prodhojnë më shumë besim. Besimi është i vetmi produkt që nuk fabrikohet me vendim qeverie.
Flamingot nuk i dëgjojnë marrëzitë e pushtetit. Ato dëgjojnë vetëm ujin. Sepse uji ka një cilësi të rrallë. Ai nuk gënjen. Korbat mbetën korba, hienat mbeten hiena, flamingot mbetën flamingo dhe laguna mbetet lagunë. I vetmi që ndryshon vazhdimisht është rrëfimi i pushtetit. Pikërisht, kjo është shenja më e fortë se kush po e humbet davanë.