Kronike
“Protestuesi me epilepsi u dhunua…”/ Lamallari kundërshton deklaratën e avokatit
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar pas deklaratave të bëra këtë të shtunë nga avokati Gentian Serjani, i cili ngriti pretendime për dhunë ndaj një prej protestuesve të ndaluar gjatë protestës, duke kërkuar edhe nisjen e një hetimi për rastin.
Në reagimin e tij, Lamallari bën me dije se menjëherë pas deklaratave ka kërkuar informacion zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura. Sipas tij, institucioni e ka informuar se pretendimet e bëra publikisht janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.
Ai thekson se paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë procedurat e verifikimit, duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm për të sqaruar rrethanat e rastit.
“Duke marrë shkas nga deklaratat e bëra publike si në videon bashkëlidhur i kam kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit informacion mbi pretendimet e rastit në fjalë. Policia e Shtetit më ka informuar se pretendime të tilla janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta.
Më pas Agjencia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.
Por ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka vepruar kryesisht dhe pavarësisht prej Policisë së Shtetit duke i vizituar të ndaluarit për akte dhune, po ashtu nuk ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre”, shkruan Lamallari, ndërkohë që paralajmëron më tej se nëse AMP arrin në të njëjtat përfundime, atëherë Policia e Shtetit jo vetëm që do të ketë të drejtën, por edhe detyrimin ligjor për t’iu drejtuar Prokurorisë në lidhje me deklarimet e bëra publikisht si dhe për të referuar çështjen pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë për vlerësimin e përgjegjësisë etiko-profesionale të avokatit.
Reagimi vjen pasi më herët gjatë ditës avokati Gentian Serjani deklaroi se ishte takuar me të ndaluarin Niko Qarkaj, për të cilin tha se vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat kishte pësuar disa kriza.
Sipas Serjanit, Qarkaj pretendon se nuk ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe se është dhunuar nga punonjës të policisë, ndërsa ka bërë të ditur gjithashtu se ai ndodhet në grevë urie që nga momenti i shoqërimit, duke kërkuar lirimin e tij dhe zhvillimin e një hetimi të plotë mbi pretendimet e ngritura.