Connect with us

Aktualitet

U arrestua gjatë protestës te Kuvendi, gruaja e Altin Hilës: E kanë burgosur pa të drejtë!

Gruaja e Altin Hilës, protestuesit që u arrestua gjatë protestës së të enjtes përpara Kuvendit, deklaroi se bashkëshorti i saj është arrestuar pa të drejtë për shkak se ai kishte dalë për të protestuar për fëmijën e tyre të sëmurë.

Në një komunikim për News24, gruaja e Hilës, e cila i është bashkuar tubimit të sotëm masiv kundër qeverisë, ku merr pjesë edhe diaspora, deklaroi se i është dashur të lërë punën për t’u kujdesur për fëmijët për shkak se bashkëshorti i saj u vu në pranga nga policia.

“Kam dalë për burrin tim sepse e kanë burgosur pa të drejtë. Ai ka ardhur këtu me qëllimin e fëmijës së vet dhe ka protestuar qe ditën e parë. Kërkoj lirim sa më të shpejtë. Ishalla nesër gjykata e liron. Unë nuk ia dal dot vetëm me dy fëmijët e vegjël. Njërin e kam të paralizuar. Isha në punë kur Altini vinte në protestë por tani e kam lënë punën për fëmijët.”, deklaroi ajo.

Një falënderim pati edhe për të gjithë shqiptarët që dhuruan para përmes fushatës së GoFundMe që u hap, ku u mblodhën mbi 150 mijë euro për djalin e sëmurë, i cili është person me status invaliditeti.

“I falënderoj të gjithë shqiptarët. Kanë bërë mrekulli për fëmijën tim. 11 vjet po ia dal vetë, me kredi e çdo gjë por shqiptarët janë gjendur edhe për mua si nënë. I falënderoj të gjithë pa masë. Zoti i shpërbleftë dhe i begatoftë”, tha ajo.

Advertisement