Aktualitet
“E prishët një herë në vitin 1990, ju ka mbaruar koha”/ Studentët përzënë demokratet e Berishës
Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar përpara Ministrisë së Arsimit, ku mbështetësit e Partisë Demokratike janë përballur me kundërshtimin e protestuesve studentorë, pasi kanë tentuar t’u bashkohen tubimit.
Studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë u kanë kërkuar demokratëve të largohen, duke krijuar një ndarje mes dy grupeve. Në mes janë vendosur edhe pankarta me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Përplasjet janë shoqëruar me slogane të kundërta. Njëra palë ka brohoritur “Arresto Berishën” dhe “Poshtë sekretarët e Partisë Komuniste”, ndërsa demokratët janë përgjigjur me thirrjet “Poshtë patronazhistët!”.
Situata është tensionuar më tej pas largimit me forcë të një protestuesi, i cili kundërshtonte përfshirjen e PD-së në tubim. Ai deklaroi se ishte mbështetës i dikurshëm i demokratëve, por tashmë ishte distancuar nga e gjithë klasa politike, duke akuzuar Berishën se nuk kishte mbajtur premtimet e dhëna për hapjen e partisë dhe dorëheqjen në rast humbjeje të zgjedhjeve.
“Deri në vitin 2025 kam votuar PD-në, por tani mjaft më! Unë nuk jam me asnjë parti. Mbështes studentët dhe popullin kundër klasës së vjetër politike”, u shpreh protestuesi.
Nga ana tjetër, një prej mbështetësve të PD-së i është kundërpërgjigjur, duke theksuar se qëllimi i tyre është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.