Bota
SKUADRAT EUROPIANE MAKTH PER BRAZILIN
Eliminimi 2-1 nga Norvegjia në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 nuk shënon vetëm fundin e aventurës së Brazilit në turne, por zgjat edhe një statistikë që prej më shumë se dy dekadash është kthyer në një makth për pesë herë kampionët e botës.
‘Seleçao’ nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje ndaj një skuadre evropiane në fazën me eliminim direkt të një Botërori që nga finalja e vitit 2002, kur mposhti Gjermaninë 2-0 falë dopietës së Ronaldos dhe ngriti trofeun e pestë botëror në Yokohama.
Që prej atij triumfi historik, çdo përballje me një rival evropian në fazën direkte ka përfunduar me eliminimin e brazilianëve.
Seria negative e Brazilit ndaj skuadrave evropiane në fazën me eliminim direkt:
2002 – Finale: Brazil 2-0 Gjermani
2006 – Çerekfinale: Francë 1-0 Brazil
2010 – Çerekfinale: Holandë 2-1 Brazil
2014 – Gjysmëfinale: Gjermani 7-1 Brazil
2018 – Çerekfinale: Belgjikë 2-1 Brazil
2022 – Çerekfinale: Kroaci 1-1 Brazil (4-2 me penallti)
2026 – 1/8 e finales: Norvegji 2-1 Brazil
Edhe pse ndeshja për vendin e tretë në Botërorin 2014 nuk konsiderohet pjesë e fazës me eliminim direkt, humbja 3-0 ndaj Holandës vetëm sa thelloi dominimin e skuadrave evropiane ndaj Brazilit në atë edicion.
Neymar i jep lamtumirën Brazilit: U përpoqa, por tani gjithçka ka marrë fund
Neymar ka konfirmuar fundin e aventurës së tij me kombëtaren e Brazilit, menjëherë pas eliminimit të “Seleçaos” nga Kupa e Botës 2026.
Sulmuesi brazilian, i cili bëri përpjekje të mëdha për t’u rikthyer në kohë pas dëmtimit dhe për të qenë pjesë e skuadrës së Carlo Ancelottit në Botëror, nuk arriti të kishte rolin që kishte shpresuar. Edhe pse u rikuperua dhe ishte i gatshëm për të kontribuar, ai nuk fitoi besimin për të qenë titullar gjatë turneut.
Në ndeshjen ndaj Norvegjisë, Neymar u aktivizua nga stoli duke shënuar golin që shkurtoi diferencën. Megjithatë, eliminimi 2-1 vulosi fundin e rrugëtimit të “Seleçaos”, ndërsa për 34-vjeçarin shënoi edhe mbylljen e karrierës me fanellën verdhejeshile.
Pas ndeshjes, Neymar emocionoi me deklaratën e tij.
“U përpoqa. U përpoqa. Gjithçka nisi këtu në ‘MetLife Stadium’ dhe tani përfundoi po këtu. Tani ka marrë fund”, citohet ai nga Fabrizio Romano.
Në 130 ndeshje me Brazilin, Neymar ka shënuar 80 gola, më shumë se kushdo tjetër me fanellën e ‘Seleçaos’.
Gjatë karrierës së tij me kombëtaren e Brazilit, Neymar nuk arriti të fitojë Kupën e Botës, ndërsa trofetë e tij me “Seleçaon” mbeten Kupa e Konfederatave dhe medalja e artë olimpike.