Politike
PESHKU NE DET, TIGANI NE ZJARR / PD PARALAJMERON FSHESEN NE ADMINISTRATE: 180 MIJE PUNONJES NE SITE
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka paralajmëruar një ndërhyrje të fortë në administratën publike në rast se opozita vjen në pushtet. Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë: vendet e punës që, sipas PD-së, janë krijuar artificialisht dhe paguhen pa kryer asnjë funksion, do të shkurtohen.
Teliti foli për planin e opozitës ndaj administratës publike, duke hedhur poshtë mundësinë e largimeve për arsye politike. Sipas tij, në shënjestër nuk do të jenë punonjësit që kryejnë detyrën, pavarësisht bindjeve politike, por ata që paguhen nga taksat e qytetarëve pa ushtruar asnjë funksion.
Për të argumentuar nevojën e shkurtimeve, Teliti krahasoi numrin e punonjësve të administratës në vitin 2013 me shifrat aktuale. Sipas të dhënave që ai referoi, administrata publike është zgjeruar nga 162 mijë punonjës në vitin 2013 në 186 mijë me kohë të plotë sot, ndonëse popullsia është pakësuar me rreth 500 mijë banorë dhe shërbimet janë digjitalizuar ndjeshëm.
Por paralajmërimi më i fortë erdhi kur Teliti foli për mijëra punonjës që, sipas tij, marrin pagën pa shkuar në punë dhe pa kryer asnjë detyrë. Ai përdori një shprehje të ashpër për fatin e tyre në rast të ardhjes së PD-së në pushtet: “Ata patjetër do fluturojnë”.
Teliti argumentoi se paratë e kursyera nga shkurtimet duhet të orientohen drejt pensioneve, shkollave dhe shërbimeve publike, ndërsa premtoi se opozita synon ta kthejë administratën në funksion normal.
Deklarata hap një debat të ndjeshëm për të ardhmen e mijëra vendeve të punës në sektorin publik: kush do të largohet, si do të identifikohen punonjësit që konsiderohen të tepërt dhe mbi çfarë kriteresh do të bëhen shkurtimet? Përtej premtimit për të mos prekur punonjësit për arsye politike, mbetet për t’u parë se si do të zbatohej në praktikë kjo reformë e paralajmëruar nga PD-ja.