Connect with us

Bota

Sulmet mes SHBA dhe Iranit, reagon Kaja Kallas: E papranueshme…

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, përmes një postimi në llogarinë e saj në “X”, ka reaguar lidhur me sulmet e fundit mes Iranit dhe SHBA. Ajo ka theksuar se këto sulme po  ndërlikojnë bisedimet për ti dhënë fund luftës.

“Shkëmbimet e zjarrit midis SHBA-së dhe Iranit i ndërlikojnë më tej bisedimet tashmë të tensionuara për t’i dhënë fund luftës. Sulmet e Iranit ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit janë të papranueshme. Sipas memorandumit, Teherani u zotua të rihapë Ngushticën e Hormuzit. Sulmet e tij të fundit ndaj anijeve pranë Ngushticës shkelin këtë angazhim dhe kërcënojnë të prishin rifillimin e furnizimeve me energji. Liria e lundrimit duhet të jetë e papenguar. Të hënën e ardhshme, Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen me homologët e tyre të Gjirit për të diskutuar se si mund të punojmë së bashku për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ruajtur lirinë e lundrimit në Ngushticë, si dhe në Detin e Kuq.”, shkroi ajo.

Kujtojmë se të hënën e ardhshme, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, do të takohen me homologët e tyre të Gjirit Persik, për të diskutuar mënyra për të punuar së bashku në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes dhe për të ruajtur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq.

Ndërkohë, Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA), u shpreh se linjat ajrore nuk do të operojnë në hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut, për shkak të tensioneve të vazhdueshme dhe veprimeve të mundshme ushtarake.

Advertisement