Connect with us

Bota

Irani i përgjigjet Trumpit: Nuk do t’ju lejojmë të merrni Hormuzin

Irani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda e Forcave të Armatosura iraniane u bëri gjithashtu thirrje vendeve të rajonit të mos ofrojnë mbështetje për operacionet ushtarake amerikane, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të konsiderohej kërcënim ndaj sovranitetit të Iranit.

“Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i selisë qendrore “Khatam al-Anbiya” të Forcave të Armatosura iraniane.

Sipas tij, forcat iraniane do të reagojnë “me ashpërsi ndaj çdo ndërhyrjeje apo veprimi që cenon sigurinë” në këtë korridor strategjik detar.

Zolfaghari paralajmëroi gjithashtu se çdo bashkëpunim i vendeve të rajonit me SHBA-në, përfshirë mbështetjen logjistike për forcat amerikane, do të konsiderohet një veprim kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit.

“Çdo bashkëpunim me SHBA-në dhe mbështetje logjistike për ushtrinë e atij vendi do të konsiderohet një luftë kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit”, u shpreh ai, duke shtuar se një konflikt i mundshëm mund të përfshijë të gjitha vendet e rajonit.

Reagimi i Teheranit vjen menjëherë pasi Donald Trump deklaroi se SHBA do të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe se Uashingtoni duhet të kompensohet për garantimin e sigurisë në këtë rrugë ujore strategjike.

“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta menaxhojmë atë. Do të jemi rojet e ngushticës dhe duhet të kompensohemi për këtë”, tha Trump në një intervistë për Fox News.

 

Advertisement