Connect with us

Bota

EUROPE/ 10 MIJE VDEKJE NE NJE JAVE NGA I NXEHTI

Periferia e Parisit digjet, ndërsa Evropa numëron viktimat nga vala e të nxehtit.  Temperaturat e larta ushqejnë flakët në Francën qendrore, ndërsa në Itali, i nxehti po merr edhe jetë njerëzish, veçanërisht të moshuarish.

Gjatë javës nga 22 deri më 28 qershor, në kulmin e valës së dytë të të nxehtit, në 27 vendet e Bashkimit Evropian humbën jetën 10.650 persona.

Mbi 9 mijë prej tyre ishin mbi 65 vjeç. Shumë prej tyre ndërruan jetë në heshtje, vetëm në banesat e tyre.

Në kontinent, zakonisht rreth 70 mijë persona humbasin jetën gjatë javës së fundit të qershorit. Këtë vit, numri i vdekjeve arriti në rreth 80 mijë, të cilave u shtohen edhe 2.700 viktimat nga i nxehti të raportuara dje nga Britania e Madhe.

Ndërkohë, zjarret nuk po kursejnë as Italinë. Vatra zjarri janë regjistruar në provincën e Udines dhe Sardenjës shumë afër plazheve.

Ne Spanje, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez vizitoi komunat e goditura nga zjarri. Bilanci i viktimave është rritur në 13, ndërsa gjashtë prej tyre ende nuk janë identifikuar.

Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia ose të përkeqësojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes, ndërsa të moshuarit mbeten grupi më i rrezikuar.
Shkencëtarët vlerësojnë se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Vala aktuale e të nxehtit në Evropë pritet të vazhdojë në shumë rajone, përpara se rreth datave 19-20 korrik 2026 temperaturat të ulen dhe të shfaqen stuhi të mundshme.
Deri atëherë, temperatura ekstreme gjatë ditës dhe të ashtuquajturat “netë tropikale”, kur temperaturat gjatë natës mbeten mbi 20 gradë Celsius- do të vazhdojnë të prekin pjesë të kontinentit të vjetër.

Advertisement