Connect with us

Aktualitet

Llogaritja e gabuar: Paradoksi i hegjemonisë së humbur

Nga Dan GASHI / Njujork

Historia e konflikteve ofron shembuj të shumtë ku ndërhyrjet ushtarake prodhojnë rezultate diametralisht të kundërta me objektivat fillestare, duke e shndërruar fitoren e synuar në një disfatë strategjike. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është ilustrimi më domethënës i këtij paradoksi. Në vend të neutralizimit të ndikimit perëndimor dhe forcimit të hegjemonisë ruse, agresioni rus ndaj Ukrainës ka shërbyer si katalizator për zgjerimin e NATO-s dhe konsolidimin e identitetit shtetëror e të synimit euroatlantik të Ukrainës. Kështu, tentativat për të rivendosur sundimin rus kanë prodhuar, në mënyrë ironike, izolimin e mëtejshëm gjeopolitik të Rusisë, dobësimin e saj ekonomik dhe ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në dëm të interesave të veta strategjike.

Në shkurt të vitit 2022, presidenti rus Vladimir Putin e justifikoi pushtimin e Ukrainës duke potencuar dy qëllime kryesore: pengimin e Ukrainës për t’u integruar në sferën euroatlantike dhe demilitarizimin e saj. Sulmi ishte projektuar si një ndërhyrje e rrufeshme dhe vendimtare që do të çmontonte strukturat mbrojtëse të Ukrainës dhe lidershipin properëndimor të udhëhequr nga Zelenski, duke e lënë vendin nën orbitën ruse përgjithmonë. Putini u nis nga premisa se suksesi ushtarak do të ishte i ngjashëm me atë të vitit 2014, kur u okupua Krimea, dhe se reagimi ndërkombëtar, përfshirë atë amerikan nën administratën Obama, do të kufizohej sërish në embargo të buta, pa një qëndrim të prerë diplomatik e politik. Kësaj radhe, llogaria e Putinit doli e gabuar. Ukrainasit u mobilizuan rreth qeverisë, thyen sulmin fillestar dhe organizuan rezistencë gjithëpopullore. Për më tepër, në Uashington, presidenti Biden – një politikan i shkollës së vjetër me përvojë ndaj autokratëve si Millosheviqi – jo vetëm ofroi ndihmë të pakursyer diplomatike, politike dhe ushtarake për Ukrainën, por imponoi një kurs të tillë edhe ndaj evropianëve. Gjithashtu, ashtu siç e kishte shpallur Millosheviqin kriminel lufte, Bideni ndërmori hapa të ngjashëm edhe kundër Putinit, duke mbështetur lëshimin e fletëarresteve ndërkombëtare për të.

Katër vjet pas fillimit të sulmit, Rusia ka dështuar në mënyrë spektakolare. Në vend që të shkatërronte forcat e armatosura të Ukrainës, pushtimi i Kremlinit ka arritur rezultatin e kundërt. Sot, Ukraina ka dalë nga situata e vështirë e luftës jo si një shtet i neutralizuar, por si një nga fuqitë ushtarake më të përparuara teknologjikisht dhe më inovative në kontinentin evropian.

Nga mbështetja e jashtme te autonomia industriale

Kur filloi lufta, Ukraina ishte tejet e varur nga donacionet e pajisjet ushtarake perëndimore. Ndonëse ndihma e huaj mbetet thelbësore për armatimin e rëndë dhe mbrojtjen ajrore, Ukraina ka përjetuar në heshtje një revolucion masiv industrial vendas.

Deri në mesin e vitit 2026, kapaciteti i parashikuar i prodhimit të mbrojtjes në Ukrainë ka arritur shifrën marramendëse prej 55 miliardë dollarësh, afërsisht 55 herë më i lartë se kapaciteti i vitit 2022. Sot, prodhuesit vendas ukrainas plotësojnë më shumë se gjysmën e nevojave totale të ushtrisë. Mbi 70 përqind e buxhetit të prokurimit të armëve shpenzohet brenda vendit, duke nxitur një kulturë të sipërmarrjeve të teknologjisë së lartë që punon krah për krah me ushtarët në vijën e frontit.

Ngritja e një superfuqie të dronëve

Elementi më dramatik i rritjes ushtarake të Ukrainës është lidershipi i saj global në teknologjinë e dronëve. Përballë artilerisë dhe epërsisë numerike ruse, Ukraina shfrytëzoi domosdoshmërinë për të nxitur shpikje të shpejta dhe tejet efikase.

Në vitin 2026, Ukraina parashikohet të prodhojë pesë deri në gjashtë milionë dronë luftarakë të modeleve dhe përmasave të ndryshme. Kjo flotë masive, e lirë dhe e shkathët, po rishkruan doktrinat moderne ushtarake. Këta dronë, të kontrolluar përmes transmetimit elektronik apo fijeve optike, bartin eksplozivë direkt në llogoret dhe mjetet e blinduara ruse, duke shkaktuar humbje të mëdha. Përtej dronëve të vegjël, industria ukrainase tani zhvillon dronë me rreze të gjatë veprimi mbi 2,000 kilometra, të cilët i mundësojnë Kievit të godasë objektiva ushtarake dhe infrastrukturë energjetike thellë brenda territorit rus.

Për më tepër, edhe pse pa një marinë konvencionale, Ukraina, falë flotës së dronëve detarë, ka detyruar Flotën Ruse të Detit të Zi të tërhiqet nga baza e saj kryesore në Krimenë e pushtuar. Ky revolucion është bërë aq i suksesshëm sa vendet e NATO-s po studiojnë në mënyrë aktive këto taktika, duke kërkuar sipërmarrje të përbashkëta për bashkëprodhim.

Qëllimi i “demilitarizimit” ka dështuar edhe në rrafshin strategjik: ushtria ukrainase është integruar thellësisht me standardet perëndimore. Ukraina po përgatitet të prodhojë raketat e veta interceptuese, ndërsa marrëveshjet me firmat e mëdha evropiane po i zhvendosin fabrikat e përparuara drejtpërdrejt në tokën ukrainase. Në vend që ta mbajë NATO-n larg, pushtimi e ka shndërruar Ukrainën në mburojën lindore të mbrojtjes evropiane.

Përpjekja e Putinit për të rikthye aspiratat sovjetike përmes pushtimit të Ukrainës ka arritur të kundërtën: Kremlini ka krijuar një fuqi ushtarake super inovative, të cilën nuk mund ta kërcënojë më lehtësisht. Plani i Putinit është varrosur përfundimisht në llogoret e fronteve te Donetskut dhe Kharkiv, Zaporizhia dhe Kherson si dhe në Detin e Zi dhe Detin Azov;duke shënuar dështimin e një strategjie që, në vend të pushtimit, prodhoi një komb më të fortë dhe më të vendosur se kurrë.

Advertisement