Bota
Përplasja me Trumpin/ Kanadaja kthen sytë nga Europa: Na pranonin edhe ne në Union
Përplasja me Shtetet e Bashkuara po shtyn Kanadanë drejt një afrimi të paprecedentë me Evropën.
Kryeministri kanadez Mark Carney po shqyrton mundësinë e krijimit të një statusi të ri që do ta afronte Kanadanë me Bashkimin Evropian, deri në pikën e një “anëtarësimi të asociuar”.
Ideja, e raportuar nga Wall Street Journal, do të përbënte një zhvillim historik për marrëdhëniet mes Kanadasë dhe BE-së. Një status i tillë aktualisht nuk ekziston dhe do të kërkonte krijimin e një modeli të ri bashkëpunimi.
Sipas raportimeve, Brukseli nuk e ka mbyllur derën për këtë mundësi.
Pas dekadash ku Kanadaja ka qenë e lidhur ngushtë ekonomikisht dhe strategjikisht me Shtetet e Bashkuara, përshkallëzimi i konfliktit tregtar me Washingtonin po e shtyn Otavën të kërkojë alternativa në anën tjetër të Atlantikut.
Marrëdhëniet Kanada–SHBA janë përkeqësuar ndjeshëm që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa tarifat amerikane kanë prekur shkëmbime tregtare me vlerë dhjetëra miliarda dollarë.
Dhe përgjigjja e Kanadasë duket se po merr një dimension strategjik.
Otava dhe Brukseli po diskutojnë mundësi për lëvizje më të lirë të mallrave, shërbimeve dhe punonjësve kanadezë në sektorë të konsideruar jetikë, nga energjia dhe inteligjenca artificiale, te mbrojtja dhe mineralet kritike.
Por bashkëpunimi mund të shkojë edhe më larg.
Në tryezë janë kabllot nënujore, qendrat e përbashkëta të të dhënave, ruajtja në cloud, rrjetet satelitore dhe infrastruktura që do të mundësonte transportimin e energjisë kanadeze drejt Evropës.
Nëse ky projekt konkretizohet, Kanadaja mund të bëhet partneri më i afërt i Bashkimit Evropian jashtë kontinentit në një sërë sektorësh strategjikë.
Një lëvizje që do të kishte jo vetëm pasoja ekonomike, por edhe një mesazh të fortë gjeopolitik:
Ndërsa marrëdhëniet me Washingtonin tensionohen, Kanadaja po shikon gjithnjë e më shumë nga Brukseli.
Dhe ideja e një “Kanadaje të lidhur me Evropën” mund të shënojë një kthesë të madhe në ekuilibrat e aleancave në Atlantikun e Veriut.