Kronike
Përplasje me njolla gjaku në Athinë, del në skenë si autor Alket Rizai, shpallet në kërkim
Alket Rizai është identifikuar nga policia greke si një prej personave të përfshirë në një incident me armë zjarri në Anavyssos, në orët e para të mëngjesit.
Gjithçka nisi rreth orës 05:15, kur policia mori një telefonatë për të shtëna me armë pranë një biznesi.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën personat e përfshirë në konflikt. Në tokë u gjetën vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Pak më vonë, autoritetet u njoftuan nga Qendra Shëndetësore e Kalivias se dy persona ishin paraqitur për ndihmë mjekësore.
Bëhet fjalë për një 20-vjeçar grek, i cili kishte pësuar dëmtime nga copat e xhamit në këmbë, dhe një 41-vjeçar pakistanez, i cili ishte plagosur me plumb në pulpë.
Të dy rezultuan të ishin punonjës të biznesit.
Policia nisi menjëherë hetimet dhe, pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, identifikoi Alket Rizain.
Sipas mediave greke, Rizai ndodhej në leje nga burgu i Domokos, ku duhet të rikthehet mëngjesin e së hënës.
Sipas hetimeve paraprake, incidenti nisi pasi pjesa më e madhe e klientëve ishte larguar nga lokali dhe pronari kishte ulur muzikën.
Rizai, i cili ndodhej në lokal së bashku me dy persona të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me zë të lartë në automjetin e tij.
Pronari i biznesit doli jashtë dhe i kërkoi ta ulte zërin, nga frika se zhurma mund të sillte ndërhyrjen e policisë.
Por situata u përshkallëzua shpejt në një konflikt.
Sipas versionit të hetimeve, Rizai dyshohet se nxori armën dhe qëlloi në ajër.
Në përplasje u përfshi edhe një shtetas afgan, i cili dyshohet se punonte si pjesë e sigurisë së biznesit. Edhe ai hapi zjarr.
Plumbat dyshohet se kanë bërë rikoshet dhe kanë plagosur dy punonjësit e lokalit.
Pas të shtënave, Rizai dhe dy personat që e shoqëronin hipën në automjet dhe u larguan me shpejtësi.
Në kërkim është edhe shtetasi afgan.
Ndërkohë, pronari i biznesit është arrestuar, pasi policia dyshon se ka dhënë deklaratë të rreme për rrethanat e incidentit.
Policia greke ka mobilizuar forcat për lokalizimin e Alket Rizait.
Sipas mediave greke, ai duhet të paraqitet në burgun e Domokos mëngjesin e së hënës.
Nëse nuk rikthehet në burg pas përfundimit të lejes, Rizai do të shpallet zyrtarisht i arratisur.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po analizohen pamjet filmike dhe provat e mbledhura në vendin e përplasjes.