Politike
Platforma e Spiropalit/ Brenda PS-së “vlon”, por askush nuk ka guxim të përballet me Ramën
Platforma “Shqipëria e Re”, e prezantuar nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, nuk është një lëvizje e koordinuar me kryeministrin Edi Rama. Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i cili tha se nisma e Spiropalit është personale, por deri më tani nuk ka arritur të krijojë ndikim real brenda Partisë Socialiste.
Kulla tha se, megjithëse Spiropali është një figurë me peshë në PS, ende nuk duket se ka mbështetjen e nevojshme për të ndryshuar ekuilibrat në parti.
“Jo, nuk besoj se është e bashkërenduar me Ramën. Elisa ka qenë kryetare Kuvendi, ministre, deputete dhe drejtuese e rëndësishme në Partinë Socialiste. Është një njeri shumë i investuar në PS, por jo i investuar nga Rama. Ajo e di shumë mirë se sa ndikim mund të ketë propozimi i saj te socialistët. Nëse sot do të largohej nga Partia Socialiste dhe do të krijonte një parti të re, nuk besoj se do të kishte ndonjë ndikim. Ndryshimi do të vinte vetëm nëse ajo do të arrinte të ndikonte socialistët brenda partisë dhe të krijonte një lëvizje të brendshme”, u shpreh Kulla.
Analisti tha se deri më tani nuk ka parë shenja të një organizimi të tillë, edhe pse, sipas tij, pakënaqësitë ekzistojnë.
“Unë nuk kam parë ndonjë ndikim konkret. Mund të them se diçka vlon brenda Partisë Socialiste, por nuk shoh askënd që të ketë kurajon të ngrihet dhe të përballet me kryeministrin. Ky është problemi kryesor. Pakënaqësia mund të ekzistojë, por pa guxim politik ajo nuk prodhon asnjë ndryshim”, tha ai.