Politike
Mes tensioneve, Balla nuk tërhiqet: Sorrat dhe korbat le të bërtasin, shqiponja dhe flamingot punojnë
Mes debateve, thirrjeve nga opozita dhe një atmosfere të tensionuar, Kuvendi shqyrtoi marrëveshjen e huasë ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në qendër të përplasjes ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili e mbrojti marrëveshjen, por njëkohësisht lëshoi edhe sulme të drejtpërdrejta ndaj opozitës.
Gjatë prezantimit të projektligjit, Balla deklaroi se financimi amerikan, me vlerë 320 milionë dollarë, përfaqëson një nga marrëveshjet më të rëndësishme në fushën e mbrojtjes për Shqipërinë.
Sipas tij, fondet do të përdoren ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s, ndërsa çdo përdorim i tyre do të miratohet nga autoritetet amerikane për të garantuar transparencën.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-ve ndaj vendit tonë dhe konfirmon marrëdhënien strategjike me aleatin tonë kryesor,” deklaroi Balla.
Ai shtoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të rritur investimet në mbrojtje dhe për të përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet në këtë sektor deri në vitin 2035.
Në fund të fjalës së tij, mes zhurmës dhe kundërshtive të opozitës, Balla përdori një gjuhë ironike që tërhoqi menjëherë vëmendjen e deputetëve.
“Zhurmuesit nuk kanë për ta kuptuar kurrë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Sorrat dhe korbat le të vazhdojnë të bërtasin, shqiponjat bashkë me flamingot do të vazhdojnë të punojnë për Shqipërinë,” u shpreh ai.
Deklarata shkaktoi reagime të menjëhershme në sallë, duke shtuar tensionet në një seancë që u shoqërua me debate të forta për procedurën e miratimit të marrëveshjes me SHBA-në.