Connect with us

Politike

Berisha thirrje demokratëve: Bashkohuni me protestat kundër regjimit të Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për shtyp këtë të martë, 28 korrik, nga ambientet e selisë blu.

I pranishëm ishte dhe nënkryetari i kësaj force politike, Belind Këlliçi.

Kryedemokrati dënoi dhunën e përdorur ndaj protestuesve një ditë më parë. Ai i cilësoi aktet e dhunës si dëshmi të “regjimit diktatorial”.

“Dua të dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër çnjerëzore të përdorur dje kundër protestës. Janë agresuar gra me fëmijë të vegjël, me karroca, janë agresuar qytetarë pa asnjë lidhje me protestën. Janë agresuar dhe kërcënuar me jetë eksponentë të protestës vetëm e vetëm se po protestonin në mënyrën më paqësore. Aktet e dhunës çnjerëzore të ushtruara këto ditë ndaj protestuesve paqësorë, janë dëshmi e plotë e fytyrës kriminale të këtij regjimi diktatorial”, tha ai.

Berisha ftoi demokratët të japin kontributin e tyre në protestat qytetare kundër kryeministrit, Edi Rama.

“Duke i dënuar ato me forcën më të madhe, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së, të gjithë qytetarëve, të bashkohen e të mbështetin këtë protestë, për të realizuar largimin e këtij regjimi, ndër më të këqijtë që kanë njohur shqiptarët në histori. Është koha që çdo qytetar shqiptar të japë kontributin e tij për shpëtimin e vendit. Kërkesat e protestës rinore qytetare janë kërkesa të çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Janë kërkesa në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve”, tha ai.

Advertisement