Connect with us

Politike

Kristian Shkreli mohon akuzat në gjykatë: Nuk kam premtuar asgjë në këmbim të votës

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i pandehur nga SPAK për korrupsion në zgjedhje, ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj tij, duke mohuar se ka premtuar përfitime apo ka ofruar të mira materiale në këmbim të votës.

Gjatë seancës, Shkreli deklaroi se kontaktet e tij me qytetarët kanë qenë të lidhura me zgjidhjen e problemeve të komunitetit, veçanërisht furnizimin me energji elektrike në fshatin Stajkë.

“Unë nuk kam ofruar dhe nuk kam premtuar asgjë në këmbim të votës. Problemi me energjinë elektrike në Stajkë ekziston që nga viti 2019. Çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve dhe mund të jem në përgjim edhe sot. Kontaktoj drejtues institucionesh sa herë ka ankesa për energjinë, spitalin apo çështje të tjera”, u shpreh ai.

Lidhur me një mesazh të përmendur nga Prokuroria, ku përdoret shprehja “jepi zjarr”, Shkreli tha se ajo nuk kishte lidhje me kërkimin e votave apo premtimin e favoreve.

“Shoqëria ime ishte që në takimin elektoral të kishte brohoritje dhe ovacione, jo që të kërkoheshin vota apo të ofroheshin vende pune ose të mira materiale”, deklaroi ai.

Shkreli shtoi se kishte kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe në mitingjet elektorale, si të Partisë Socialiste ashtu edhe të Partisë Socialdemokrate, duke theksuar se gjatë fushatës situata në zonë ishte e tensionuar.

Ai iu referua edhe një bisede të interpretuar nga SPAK, ku sipas prokurorisë ai u kishte thënë banorëve “ua kam dhënë unë lekët”, duke sqaruar se me këtë shprehje kishte synuar vetëm t’i bindte qytetarët se defekti në linjën elektrike do të rregullohej.

“Nuk i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së. Kam dashur vetëm t’u jap besim banorëve se problemi do të zgjidhej”, deklaroi Shkreli.

Procesi ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës vijon në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Advertisement