Aktualitet
Raporti i INSTAT: Mbi 17 mijë të rinj me universitet nuk gjejnë dot një vend pune
Me diplomë universitare por të papunë. Kjo është gjetja e ekspertëve të statistikave të cilët në raportin “Tregu i Punës 2025” tregojnë se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë, edhe pse janë në kërkim të saj.
Të dhënat tregojnë se shumica e tyre janë të rinjtë. Mes personave me arsim të lartë që janë në kërkim të punës, 5,370 janë të moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 i përkasin grup-moshës 25-29 vjeç.
Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç. Kjo tregon se sfida më e madhe është hyrja e të rinjve të diplomuar në tregun e punës.
Grupi më i madh pas të rinjve është ai i moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç mbetet shumë më i ulët.
Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë, nga të cilët 45,764 kishin arsim të mesëm, 43,984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se personat me diplomë universitare përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në vend që duan të punojnë por nuk gjejnë punë.
Sipas ekspertëve arsyet kryesore lidhen me mospërputhjen mes diplomave dhe kërkesës reale të tregut. Ekonomia shqiptare vijon të gjenerojë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërsa shumë të diplomuar dalin nga universitetet me profile që nuk përkojnë gjithmonë me nevojat e bizneseve.
Një tjetër faktor është mungesa e përvojës, pasi të rinjtë me arsim të lartë shpesh hyjnë në treg me diplomë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.