Politike
“200 mijë euro” në dosjen e Metës? GJKKO rrëzon kërkesën për të dalë nga kafazi
Ka nisur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Në fillim të seancës, Ilir Meta i paraqiti gjykatës një kërkesë me shkrim për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor. Megjithatë, trupa gjykuese e rrëzoi kërkesën, duke argumentuar se çështja është shqyrtuar më herët dhe ka marrë një vendim përfundimtar.
Gjatë seancës pritet gjithashtu që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të paraqesë qëndrimin e saj lidhur me kërkesat e mbrojtjes për pavlefshmërinë e disa akteve hetimore.
Në seancën e kaluar, Monika Kryemadhi kundërshtoi sekuestrimin e telefonit të saj celular, duke pretenduar se në kohën kur u krye ky veprim ishte deputete dhe se duhej të ishte marrë më parë autorizim nga Kuvendi.
Nga ana tjetër, edhe Ilir Meta ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të disa akteve hetimore, mes tyre edhe komunikimet e siguruara nga telefoni i biznesmenit Kastriot Ismailaj, ku përfshihet mesazhi me tekst: “nesër më duhen patjetër 200 mijë”.
Sipas mbrojtjes së Metës, nuk është provuar se ai ka qenë dërguesi i këtij mesazhi, ndaj komunikimi nuk mund të përdoret si provë në proces.