Kosova
PLASIN ARMËT GJATË KONTROLLIT/ Qëllohen punonjësit e Ujësjellësit në Mitrovicë, autori në arrati
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, ku disa punonjës të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” janë sulmuar me armë zjarri gjatë një kontrolli në terren.
Punonjësit po inspektonin lidhjet e dyshuara ilegale të ujit, kur një person ka qëlluar me armë në drejtim të tyre.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar. Autori i dyshuar është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në arrati.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se autoritetet janë vënë në kërkim të të dyshuarit.
Ai po hetohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtje e paautorizuar e armës” dhe “Përdorim i armës”.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e autorit.