Connect with us

Politike

A NUK DUHET T’U BESOJ SYVE TË MI?”/ Gazetarja e “Channel 4” sfidon Ramën për Zvërnecin

Intervista e kryeministrit Edi Rama për britaniken “Channel 4” u kthye në një përballje të fortë mbi projektin e shumëdiskutuar në Zvërnec, ndërsa gazetarja e vuri në pikëpyetje versionin e qeverisë se punimet nuk kanë filluar ende.

Rama këmbënguli se në zonë nuk ka nisur asnjë projekt ndërtimi, por vetëm punime paraprake, të nevojshme për vlerësimet mjedisore, gjeologjike dhe hidrologjike.

Gazetarja, e cila deklaroi se kishte vizituar vetë Zvërnecin, e kundërshtoi drejtpërdrejt kryeministrin.

“Unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte nisur dhe më pas ishte ndalur”, i tha ajo.

Por Rama mohoi që gardhet, ndërhyrjet në terren dhe prania e mjeteve të rënda të përbënin nisjen e projektit.

“Nuk është fillimi i projektit. Janë vetëm përgatitje për kryerjen e punimeve paraprake, përpara se të jepet leja”, deklaroi kryeministri.

Përballja u ashpërsua kur gazetarja e pyeti nëse qytetarët duhet të mos u besonin pamjeve që kishin parë në terren.

“Çfarë kam parë atëherë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi?”, insistoi ajo.

Rama argumentoi se buldozerët ishin përdorur për të hapur një rrugë kalimi për komunitetin dhe jo për të nisur ndërtimin e kompleksit turistik. Gazetarja kundërshtoi sërish, duke pretenduar se kalimi ekzistonte edhe më parë dhe se kufizimet kishin nisur pas vendosjes së gardheve.

RAMA MBRON PROJEKTIN: NUK SHKATËRRON ZVËRNECIN, E RIGJENERON

Kryeministri deklaroi se projekti i publikuar fillimisht nga Jared Kushner kishte qenë vetëm një prezantim paraprak dhe se planet kishin evoluar.

Sipas tij, në projekt janë përfshirë arkitektë të njohur ndërkombëtarisht dhe specialistë të peizazhit me përvojë në zonat ligatinore.

“Projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë”, u shpreh Rama.

Ai hodhi poshtë idenë se Shqipëria mund të lejonte një investim që binte ndesh me standardet e Bashkimit Europian, në një kohë kur vendi po zhvillon negociatat e anëtarësimit.

“Vetë ideja se mund të ecim përpara me një projekt që nuk përputhet me standardet europiane është absurde”, deklaroi kryeministri, duke u kërkuar kritikëve të “qetësohen” dhe të flasin mbi bazën e fakteve.

Megjithatë, gazetarja e “Channel 4” i kujtoi shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian për legjislacionin mjedisor dhe përjashtimet që mund të përfitojnë investimet strategjike.

Rama tha se shqetësimi i institucioneve europiane ishte normal, por nuk pranoi se projekti përbënte rrezik për zonën.

TAKIMI ME KUSHNER DHE IVANKA TRUMP

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për njohjen e tij me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Ai tregoi se i kishte takuar për herë të parë në vitin 2020, në jahtin e financierit Nat Rothschild, i cili kishte ndaluar në Shqipëri gjatë rrugës drejt Malit të Zi.

Sipas Ramës, disa muaj më vonë Kushner i kishte shprehur në Davos interesin për të eksploruar mundësi investimi në Shqipëri.

“Si mund t’i thosha jo?”, deklaroi Rama, duke e cilësuar investimin e propozuar si një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që mund t’i ndodhin Europës.

Ndërkohë, për Sazanin, kryeministri deklaroi se ende nuk ekziston as një projekt përfundimtar dhe as një marrëveshje konkrete, pavarësisht se Sazani dhe Zvërneci janë prezantuar publikisht si pjesë të së njëjtës ide investimi.

PROTESTAT, RAMA: JANË TË MREKULLUESHME PËR VENDIN

I pyetur për protestat që prej javësh zhvillohen pranë zyrës së tij, Rama i cilësoi ato një zhvillim pozitiv për shoqërinë shqiptare.

“Është diçka e mrekullueshme për vendin”, deklaroi kryeministri, duke bërë një krahasim me protestën e 21 janarit 2011, kur katër qytetarë u vranë në bulevardin përpara Kryeministrisë.

Rama tha se protestat e qershorit kishin shërbyer si një pasqyrë për qeverinë dhe si tregues se qytetarët kishin pritshmëri më të larta.

Megjithatë, ai nuk deklaroi se kishte ndryshuar ndonjë politikë konkrete si rezultat i protestave, ndërsa vazhdoi të mbronte projektin në Zvërnec dhe mënyrën se si qeveria po e menaxhon atë.

Intervista nxori në pah dy versione të kundërta: nga njëra anë, Rama që këmbëngul se projekti nuk ka nisur dhe se çdo ndërhyrje është paraprake; nga ana tjetër, gazetarja që pretendon se pamjet në terren tregojnë se në zonë ka pasur ndërhyrje konkrete.

Tashmë mbetet që vlerësimet mjedisore, dokumentet zyrtare dhe faktet nga terreni të tregojnë nëse Zvërneci do të “rigjenerohet”, siç thotë kryeministri, apo nëse shqetësimet e qytetarëve dhe institucioneve europiane janë më shumë sesa thjesht reagime emocionale.

 

Advertisement